Qeveria e Kosovës e cila ka menduar që mund t'i koordinojë veprimet nëpërmjet EULEX-it për bllokimin e produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, paraqet vështirësi, pasi që çdo vendim duhet të jetë i koordinuar nga të 27 vendet anëtare të bllokut evropian.
Eksperti për çështje ekonomike, Muhamet Sadiku, thekson se vendimi për bllokimin e mallrave të këtyre dy shteteve, nuk do të mund të merret vetëm nga institucionet e Kosovës.
"Kosova është një projekt ndërkombëtar edhe tani, prandaj të gjitha veprimet e Kosovës duhet të koordinohen me misionet të cilat janë të instaluara në Kosovë, sepse vetëm atëherë do të kemi një analizë më komplete të kost-benefitit lidhur me veprimet eventuale që do t'i ndërmerr Kosova në drejtim të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës", thekson zoti Sadiku.
Megjithatë, ai thotë se Kosova në situatën e re të krijuar ka kapacitete institucionale për të ndërmarrë masa kundërvënëse. Por, sipas zotit Sadiku, para marrjes së një vendimit për reciprocitet, duhet pritur shterjen e mundësive për të biseduar...
"Këto veprime të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës janë të motivuar politikisht, prandaj mendoj se lëvizjet në këto vendime janë shumë të rëndësishme edhe për rajonin edhe për Serbinë", thotë ai.
Në anën tjetër, drejtuesi i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Shpend Ahmeti, thotë se nëse gjykohet në bazë të asaj se si ka vepruar Qeveria e Kosovës gjatë këtyrë nëntë muajve të fundit, atëherë vështirë se mund të merret ky vendim pa koordinim me misionet ndërkombëtare.
Ai thekson se arsyeja kryesore e mos marrjes së vendimit për bllokimin e produkteve të këtyre vendeve është përzierja e kompetencave me UNMIK-un, EULEX-in dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare.
Zoti Ahmeti, u rekomandon institucioneve të Kosovës që hapi i radhës të jetë bllokimi i mallrave, pastaj presioni në CEFTA do të vijë vetë nga ana e Begoradit dhe Sarajevës dhe takimi i sekretariatit të CEFTA-s do të do të mbahet shumë më shpejtë se që mendohet tani.
"Ky vendim duhet të merret tani, nuk ka mbetur asnjë zgjidhje tjetër, vetëm bllokimi i mallrave dhe CEFTA do të mbante takim për dy javë. Në këtë rast Kosova ka provuar edhe anën ligjore, ka kërkuar nga Mali i Zi, i cili e ka refuzuar kërkesën. Përfundimisht, duhet të sillemi si shtet, ka kaluar koha e UNMIK-ut, duhet që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësinë", thotë zoti Ahmeti.
Gjithashtu, edhe eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë hapësirë shumë të madhe të veprimit. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të fillojnë një procedurë e cila do të ishte dashur të nisë që para një viti.
"Të gjithë anëtarët e CEFTA-s është dashur të lajmërohen që Kosova është shtet dhe përfaqësohet nga institucionet e Kosovës. Të marrin masa më radikale dhe të kenë një qëndrim më të ashpër ndaj tregtisë së lirë, në veçanti ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës", thotë zoti Rexhepi.
Megjithatë, zoti Rexhepi konsideron se bllokada e produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është një masë shumë radikale dhe një masë e cila është vështirë të kontrollohet dhe të implementohet qind për qind, duke marrë parasysh strukturën e popullatës që banon në zonat kufitare me Serbinë.
Ndryshe, që nga 3 dhjetori i vitit të kaluar, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina i kanë vënë embargo produkteve të Kosovës. Arsye për këtë është vula doganore e Kosovës që figuron në prodhimet vendore, gjë e cila ka nxitur reagimin e Serbisë dhe Bosnjës.