Ndërlidhjet

“Feith – me rol udhëheqës në bisedime”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
BOTA SOT
Derisa institucionet e Kosovës këmbëngulin se nuk o të hyjnë në dialog me Serbinë për çështje tjera, përveç atyre aspekteve që do ta lehtësonin jetën e qytetarëve, në anën tjetër misionet ndërkombëtare në Kosovë konfirmojnë se përgatitjet për këto bisedime janë në proces e sipër. Karen Limdal, zëdhënëse e EULEX-it, ka deklaruar për media se është duke u biseduar për aranzhimin e këtyre bisedimeve... ndërkaq, qëndrimet e presidencës për bisedimet teknike ndërmjet dy shteteve akoma janë të palëkundura. Sipas tyre, institucionet e Kosovës janë të gatshme të bisedojnë për çështje që kanë të bëjnë me lehtësimin e jetës së qytetarëve , mirëpo vendi ynë çështjet politike i ka mbyllur më 17 shkurt të vitit të kaluar... Ndërkohë që AAK-ja, çështjen e bisedimeve teknike e njeh vetëm sikur informatë, derisa është e anashkaluar nga kjo çështje... Ndërkaq, për LDD-në, nëse këto bisedime janë vërtet për çështje teknike, atëherë nuk ka asgjë negative, por pas tyre mund të fshihet edhe diçka tjetër...

EXPRESS
Një aspekt i rëndësishëm rreth bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit duket se është sqaruar pas një varg takimesh mes krerëve të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Në bisedimet e ardhshme për çështje teknike, UNMIK-u nuk do të ketë rol udhëheqës, por Bashkimi Evropian, përkatësisht Përfaqësuesi Special i BE-së (EUSR) në Kosovë, Pieter Feith. “Në mesin e pranive ndërkombëtare në Kosovë, EUSR do të luajë një rol udhëheqës sa i përket asistencës për gjetjen e zgjidhjeve praktike për çështje praktike”, ka thënë të martën për Express, zëdhënësja e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Julia Rueter. Megjithëkëtë, së paku deri më tash, zyrtarë të Beogradit shpeshherë kanë deklaruar se nuk pranojnë kurrfarë bisedimesh me Pieter Feithin, madje as në kapacitetin e tij si Përfaqësues i BE-së. Serbia është kundër komunikimit me diplomatin holandez për shkak se ky është i ngarkuar edhe me mbikëqyrjen e zbatimit të Planit të Ahtisaarit. Nga ana tjetër, burime ndërkombëtare kanë thënë se ende nuk dihet se kush do të dërgojë ftesat në adresë të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit për të filluar bisedimet në nivelin teknik...

ZËRI
I ngarkuari me detyrën e sekretarit teknik administrativ të LDK-së, Sadri Ferati, njëherësh ministër i Administrimit Lokal në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka prezantuar para Kryesisë së LDK-së, ku edhe ka marrë besimin, që në një afat dymujor , që përfshin periudhën15 janar-15 mars 2009, të realizojë gjashtë objektiva, në kuadër të procesit të reformimit dhe forcimit të partisë. Këto objektiva të përmbledhura brenda një dokumenti, një kopje të të cilit e posedon “Zëri”, janë hartuar nga sekretari teknik administrativ, Sadri Ferati, më 9 janar 2009, ndërsa ato kanë marrë miratimin e Kryesisë së LDK-së që në takimin e parë të mbajtur pas kësaj date... Objektivat e hartuara nga Sadri Ferati bazohen në vendimin e Kryesisë së LDK-së të datës 17 dhjetor 2008 për emërimin e sekretarit teknik administrativ në përgjegjësitë kryesore, të cilit atij i janë caktuar nga Kryesia e partisë, e që kanë të bëjnë me operacionalizimin e vendimeve të dhëna nga Kryesia, raportimin dhe ekzekutimin e tyre tek kjo Kryesi...

INFOPRESS
Rrethanat e krijuara pas 17 Shkurtit, procedurat parlamentare dhe vetëdija se është vetëm Qeveria ajo që përgatit ligje, janë disa nga arsyet që përmendin partitë opozitare në Parlament kur “akuzohen” për mungesë të iniciativave për të nxjerrë ligje. Këto janë edhe arsyet që ata përmendin sa i përket kritikave që ka bërë, ditë më parë, Instituti Demokratik i Kosovës në drejtim të opozitës për mungesë të iniciativës në inicimin e nxjerrjes së ligjeve... Ligjvënës nga AKR-ja kanë thënë se ata nuk kanë qenë si duhet në këtë detyrë pasi që u ka munguar përvoja parlamentare... Por, Lulzim Zeneli, nga LDD-ja, e quan si joserioze që Qeveria të presë nga opozita që ta plotësojë vakuumin ligjor... Anëtarë të legjislativit nga radhët e AAK-së, ndërkaq, kanë thënë se vetëdija se vetëm Qeveria është ajo që nxjerr ligje dhe se ligjet që vijnë nga deputetët nuk trajtohen si të rëndësishme apo trajtohen joseriozisht, janë arsyet që kanë shtyrë që të mos ketë iniciativa nga ta...

KOHA DITORE
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, brenda kësaj jave do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku pos të tjerash do ta njoftojë atë për takimin e zhvilluar në Nju Jork me kryediplomatin serb, Vuk Jeremiq, si dhe për shqyrtimin e nisjes së bisedimeve teknike mes Prishtinës e Beogradit. Për këtë të fundit, janë intensifikuar edhe përpjekjet e misioneve ndërkombëtare të pranishme në Kosovë, drejtuesit e të cilëve po tentojnë t’i vënë në tryezë zyrtarët e Prishtinës dhe ata të Beogradit, në mënyrë që të diskutohen çështjet që konsiderohen nga të huajt si “praktike”. Burime ndërkombëtare të gazetës kanë bërë të ditur se kreu i ekzekutivit kosovar është pajtuar me ftesën e PSSP-së për takim, i cili pritet të ndodhë të enjten. “Në këtë takim pritet të ngrihet edhe çështja e bisedimeve teknike”, është shprehur ky zyrtar ndërkombëtar...

EPOKA E RE

Edhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, i bashkohet karvanit të gjatë të atyre politikanëve që dinë (apo kanë dëgjuar) për ekzistimin e marrëveshjes që në zgjedhjet e 2007-ës të hyhet për mandat të plotë. Në një intervistë për “Epoka e re”, Makolli ka thënë se në vitin 2007, kur flitej për arritjen e marrëveshjes në fjalë, ai, partia e tij, dhe shumë të tjerë kanë reaguar, duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës në atë kohë, që t’i zhvleftësojë të gjitha vendimet e Ekipit të Unitetit. “Në atë kohë është folur për një marrëveshje të Grupit të Unitetit dhe unë personalisht, në emër të subjektit politik, kam kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, edhe pse nuk kemi qenë pjesë e tij, t’ia marrim mandatin Grupit të Unitetit dhe t’i zhvleftësojmë të gjitha vendimet që i kishte marrë ai grup”, është shprehur Makolli...

KOSOVA SOT
Çështja e miratimit të një rezolute nga Kuvendi i Kosovës, e cila e distancon Kosovën nga krimet e kryera nga regjimi komunist në këto hapësira për dekada me radhë, dhe i dënon ato krime në të njëjtën kohë, mbetet e papërfunduar. Kjo temë nuk do të jetë në rend dite as në seancën e radhës, të cilën Kryesia e Kuvendit e ka thirrur për datën 12 shkurt. Teksti i këtij dokumenti tash është i gatshëm, por Kryesia e Kuvendit përsëri thirret në ndikimet buxhetore të këtij dokumenti, andaj thotë se testimin final të kostos, veçmas të ligjeve që do të dalin të bazuara në këtë dokument, duhet ta bëjë në mënyrë analitike Ministria e Financave... Çështja kryesore e mosfutjes në rend dite për miratim të kësaj rezolute, sipas deklarimit të djeshëm të kryeparlamentarit Krasniqi, është dyshimi bazuar në kosto. “Mendoj që e rëndësishme është që debati është bërë për rezolutën. Është mbajtur një debat në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe teksti i rezolutës është, por ju e dini që në tekstin e rezolutës ka edhe implikime buxhetore, sepse ajo kërkon edhe hartimin dhe miratimin e disa ligjeve...”

LAJM

“Ju më kërkuar një, unë ua dhashë tri shtrëngime duarsh”, iu përgjigj kërkesës së gazetarëve për një “shtrëngim duarsh” me kryeministrin Hashim Thaçi, shefja e diplomacisë greke, Dora Bakoyannis, pas takimit me kreun e ekzekutivit kosovar. Por, as ky “shtrëngim duarsh” dhe as vendosja e flamurit grek karshi atij të OSBE-së dhe të Kosovës, në prapaskenë, nuk nënkupton se Greqia ka ndryshuar qëndrim rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, përkundër faktit se ky vend është prezent në EULEX, KFOR dhe tashmë e ka njohur edhe pasaportën e Republikës së Kosovës. “Po, jemi të pranishëm në Kosovë, por vendimi ynë për pavarësinë e Kosovës është i pandryshuar. Secili vend merr vendime në bazë të interesave nacionale dhe ai vendim natyrisht se duhet t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon”...
XS
SM
MD
LG