Ndërlidhjet

Pjesëtarët e ish-TMK-së anulojnë protestat


Pjesëtarë të ish-TMK-së
Pjesëtarë të ish-TMK-së

Ish-pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve sinjalizojnë se mund të jetë e shpejtë arritja e një marrëveshjeje mes dy palëve, në lidhje me përfshirjen edhe të një numri të ish-pjesëtarëve të TMK-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës.


Ish-pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të cilët, javën e kaluar, kanë mbajtur protestën e dytë, me ç’rast i patën dhënë afat Qeverisë së Kosovës deri sot që të zgjidhë çështjen e tyre, kanë bërë të ditur se kanë anuluar mbajtjen e protestës, mirëpo nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre.

Pas shumë takimeve të zhvilluara gjatë ditës së sotme, ata nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Anëtari i Këshillit të Protestuesve, Adrian Mehmeti, shpreson se me bisedime mund të ketë zgjidhje të kësaj çështjeje.

“Nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje sipas kërkesave tona, mirëpo kemi dhënë kohë që të gjejmë një zgjidhje institucionale, duke marrë parasysh edhe nivelin ndërkombëtar dhe atë lokal, që është përfshirë në këto bisedime. Mendojmë që bisedimet do të çojnë deri te zgjidhja më e mirë e mundshme si për ne, ashtu edhe për Qeverinë e Kosovës", tha Mehmeti.

Nga ana tjetër, ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, u ka premtuar ish-pjesëtarëve të TMK-së se kërkesat e tyre do të merren parasysh.

Ai madje ka thënë se kjo çështje do të shqyrtohet në të gjitha instancat më të larta vendore dhe në ato ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

“Tani mund të konfirmojmë angazhimin ndërinstitucional dhe angazhimet permanente të Ministrisë së FSK-së për të pasur një zgjidhje sa më të pranushme dhe sa më të drejtë për të gjithë pjesëtarët e TMK-së që nuk janë bërë pjesë e FSK-së. Do të kemi takime në nivelin deri te admirali Ligjeralt dhe më pas do të kemi edhe diskutime të tjera në nivel të KFOR-it, për t’i bërë të gjitha sqarimet e nevojshme në proces dhe për të dhënë zgjidhjet më të drejta të mundshme për të gjithë pjesëtarët e TMK-së që nuk janë përfshirë në FSK", theksoi Mujota.

Përfaqësuesit e ish-pjesëtarëve të TMK-së thanë se vazhdojnë të qëndrojnë prapa kërkesave të fundit për dorëheqjen e krerëve të FSK-së dhe Ministrisë së FSK-së.

“Kërkesat tona fillimisht kanë qenë ato që i ka marrë Qeveria dhe për të cilat është zotuar se do t'i shqyrtojë. Në vazhdim, meqenëse kemi menduar se nuk është reflektuar në ato kërkesa, ka qenë edhe kërkesa për dorëheqje. Ne ende qëndrojmë mbrapa qëndrimeve dhe kërkesave tona, duke marrë për bazë edhe kërkesën e fundit", tha Adrian Mehmeti.

Ish-pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës që nuk janë zgjedhur për të qenë pjesë e FSK-së, patën paralajmëruar protestë për të martën, nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre nga Qeveria.

Qeveria, ndërkohë, ka premtuar angazhim për të garantuar një proces transparent përzgjedhjeje të pjesëtarëve të FSK-së, duke pranuar se në fazën e parë janë evidentuar disa parregullsi. Ministri Mujota shpjegon më shumë:

“Ministria e FSK-së, në bazë të kompetencave mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve, do t’i bëjë të gjitha angazhimet e veta në kuadër të të gjithë procesit, që tanimë kemi, që në një pjesë të caktuar ka pasur lëshimet e veta, të bëhën korrigjimet maksimale dhe më pas të mundësojmë përfshirjen e sa më shumë pjesëtarëve të TMK-së në rekrutimin që kanë aktualisht pjesëtarët që kanë filluar në Vushtrri", tha ai.

Që nga ngritja e FSK-së janë zhvilluar disa protesta nga shumë pjesëtarë të ish-TMK-së, të cilët nuk u pranuan në FSK. Ata së fundi kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujotës, të komandantit të po kësaj force, Sylejman Selimit, si dhe të zëvendëskomandantit Rrahman Rama.
XS
SM
MD
LG