Ndërlidhjet

Trashëgimia e Lincolnit në 200 vjetorin e lindjes


Abraham Lincoln
Abraham Lincoln

Amerikanët më 12 shkurt festojnë ditëlindjen e 200-të të presidentit të tyre të 16-të, Abraham Lincoln. Ai njihet si një nga liderët më të mëdhenj amerikanë. Për të kuptuar më thellësisht trashëgiminë e Lincolnit, për Radion Evropa e Lirë flet historiani Rodney O.Davis.

Rodney O.Davis është historian i njohur dhe koordinator në Qendrën e Studimeve Lincoln në Knox College, Illinois.


RADIO EVROPA E LIRË

Ç'është ajo në jetën e Abraham Lincolnit që nxit amerikanët edhe sot t'i referohen atij si njërit nga presidentët më të mëdhenj në historinë e Shteteve të Bashkuara?

RODNEY O.DAVIS
Mendoj se Abraham Lincolni ka rëndësi të madhe për amerikanët, sepse personifikon atë çka ne e shohim ende si ëndërr amerikane. Ai u ngrit në krye nga rrethana jashtëzakonisht modeste dhe e ka bërë këtë me fuqinë e përpjekjeve të veta.

Presidenca e tij ka pasur sukses në krizën më të jashtëzakonshme të ndasive në historinë e vendit gjatë Luftës Civile. Dhe natyrisht, ai mbase edhe është përgjegjës për hapin më të jashtëzakonshëm të ndërmarrë në historinë amerikane, e mbase edhe atë të njerëzimit në vendosjen dhe sendërtimin e të drejtave të njeriut – emancipimin e skllavëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Të flasim edhe pak për ngritjen e Lincolnit në pushtet nga varfëria që ka përjetuar si fëmijë. Si ishte e mundur një gjë e këtillë?

RODNEY O.DAVIS
Lincolni ka lindur në një shtëpi druri. I ati ka qenë modest dhe aspak i suksesshëm si fermer, i cili njëkohësisht ka qenë ndërtimtar i shtëpive të drurit dhe punën e bënte me duart e veta.

Edhe Lincolni padyshim ishte i gatshëm dhe i aftë për ta bërë këtë punë fizike. Por, ai kishte aspirate më të mëdha se kaq, me gjithë faktin se kishte kryer pak shkollë formale. Ai kishte gjithsejtë rreth 11 muaj shkollim formal gjatë gjithë jetës së tij. Në fakt, ai kishte mësuar vetë. E kishte mësuar veten mbi ligjin saqë mund ta praktikonte atë.

Ishte edhe lexues i vazhdueshëm i gazetave dhe kështu u bë një person i informuar mbi çështjet politike. Dhe, ishte miqësor. Ishte nga ai lloj i njerëzve tek i cili të tjerët gravitojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Lincolni ka udhëhequr me sukses në kohën e krizës më të thellë ndarëse në Amerikë – gjatë Luftës Civile amerikane. Si e kanë formësuar idealin politik dhe karrierën e Lincolnit ngjarjet që kanë çuar drejt kësaj krize?

RODNEY O.DAVIS
Kriza gjatë presidencës së Lincolnit kishte dalë nga mundësia e zgjerimit të institucionit të skllavërisë në vendet ku s'ka qenë më parë. Kjo u pa si një gjë e mundshme më 1850. Kjo ishte ajo mundësia që shtyu Abraham Lincolnin t'i kthehet politikës.

Ai u bë lider i partisë së re, asaj Republikane. Partia Republikane në esencë ishte e përkushtuar ndaj propozimit që skllavëria të mos zgjerohej në vendet ku s'kishte qenë e pranishme më parë. Lincolni ishte zgjedhur mbi këtë platformë më 1860.

Dhe, për herë të parë dhe të vetme, një numër substancial i amerikanëve vendosën të mos e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Si rezultat, 11 shtete amerikane u ndanë mbi këtë çështje, në pritje të hapave të mëtutjeshëm të republikanëve të udhëhequr nga Lincolni.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumëçka është thënë për fjalimin që Lincoln ka dhënë tek varrezat e luftëtarëve në fushëbetejën Gettysburg në Penssylvania, më 1863. Pse ka rëndësi aq të madhe ky fjalim në historinë amerikane?

RODNEY O.DAVIS
Në esencë, adresimi në Gettysburg, në sytë e Lincolnit, demonstroi se Lufta Civile kishte një mision të ri: fuqizimin e aktit se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe të bekuar nga krijuesi i tyre me të drejtën për të jetuar, për të qenë i lirë dhe për të ndjekur lumturinë.

Kjo padyshim vuri në dukje në mënyrë të fuqishme misionin e Luftës Civile për t'i dhënë fund çdo skllavërie dhe njëkohësisht për të rivendosur Unionin. Lincolni e pati thënë këtë me një prozë absolutisht elegante. Kjo mbase mund të jetë një prej arsyeve pse kujtohet aq shumë – sepse edhe ka qenë fjalim shumë i shkurtër. Është një adresim i shkurtër që lehtë kuptohet dhe përshtatet njëkohësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se mund të jenë mësimet nga jeta dhe karriera politike e Abraham Lincolnit për administratën e re të Barack Obamas, e cila aktualisht përballet me krizën ekonomike në Shtetet e Bashkuara?

RODNEY O.DAVIS
Ajo çfarë është e rëndësishme, është që kualitetet e lidershipit të vendosen dhe pranohen herët. Ekziston një nevojë për të pasur mundësinë për të komunikuar në mënyrë thelbësore me njerëzit. Lincolni e ka arritur këtë me një numër letrash publike, të cilat i ka publikuar gjatë presidencës së tij, duke e bërë të qartë pozicionin e tij mbi disa çështje kundërthënëse.

Komunikimi sot është më i lehtë. Megjithatë, është po aq i rëndësishëm për një president që të jetë komunikativ dhe që të jetë i pranueshëm nga publiku. Tash për tash, duket sikur ne e kemi një të këtillë. Natyrisht, kriza në të cilën jemi përfshirë, nuk mund të krahasohet me krizën e Unionit nga 1861 e deri më 1865.

RADIO EVROPA E LIRË
Ata që kanë shikuar ceremoninë e inaugurimit të presidentit Obama kanë vërejtur se ai ka përdorur të njëjtën Bibël sikurse edhe Lincolni më 1865. Cilat ishin mendimet tuaja kur patë Biblën e Lincolnit në inaugurimin e Obamas?

RODNEY O.DAVIS
Mendoj se identifikimi i Obamas me Lincolnin nuk është aspak i pavend. Madje kam qenë i befasuar me faktin pse presidentët tjerë nuk e bënë një gjë të këtillë.
XS
SM
MD
LG