Ndërlidhjet

Prishtina: Raporti i IKA-së është real


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, raportin e publikuar nga Drejtori i Inteligjencës Kombëtare Amerikane, e vlerësojnë si real. Ata madje thonë se shqetësime të tilla janë paraqitur më herët edhe nga vetë institucionet kosovare. Sipas tyre, Beogradi zyrtar po bën një politikë konflikt-nxitëse për Kosovën e rajonin.


Kosova nuk është dhe nuk do të jetë eksportuese e as importuese e krizave në rajon dhe më gjerë. Kështu thonë zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, pas publikimit të raportit të Inteligjencës Kombëtare Amerikane, të paraqitur para Kongresit.

Në raport thuhet se sfidat kryesore për stabilitetin në Ballkan do të vijnë nga statusi i pazgjidhur politik i pakicës serbe në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se do të merren të gjitha veprimet, që në Kosovë të mos ketë destabilizim të situatës.

Hajredin Kuçi
"Do t’i marrim të gjitha masat, së bashku më të gjthë mekanizmat ndërkombëtarë - me KFOR-in, EULEX-in dhe të tjerët, që të kontribuojmë në ruajtjen e rendit e stabilitetit brenda Kosovës. Po e them me seriozitetin e plotë se Kosova nuk është eksportuese e as importuese e krizave; përkundrazi, do të jetë faktor pozitiv për paqen në rajon dhe më gjerë",
tha Kuçi.

Zoti Kuçi konsideron se raporti i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Dennis Blair, ka paraqitur një gjendje reale në Ballkan. Ai madje thotë kjo çështje është ngritur disa herë nga institucionet e Kosovës.

"Ne, shpeshherë, e kemi ngritur çështjen e këtyre problemeve, që Serbia po tenton të bëjë një lidhje edhe me krizat e tjera, që mund të jenë të ngjashme në rajon, e fatkeqësisht edhe me rastin Republika Sërpska. Por, sido që të jetë, ky raport ka zgjuar kurreshtjen dhe interesimin edhe të palëve në rajon, por edhe të faktorëve ndërkombëtarë, në radhë të parë të SHBA-ve dhe shteteve evropiane, respektivisht të NATO-s, që të marrë masa shtesë, që të mos lejojë përsëritjen e krizave që kanë qenë më herët", tha Kuçi.

Nga ana tjetër, nënkryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, pohon se Serbia është ajo, e cila mund të nxisë destabilizim të situatës në rajon dhe më gjerë.

Ahmet Isufi

"Ky raport bazohet në zhvillimet, të cilat kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, e po ashtu në disa sfera, ku disa nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia nuk janë sa duhet të demokratizuara, e në këtë rast Serbia është shteti, i cili mund të jëtë rrezik për Ballkanin në të ardhmen",
u shpreh Isufi.


Ndërsa, zëvendëskryeministri Kuçi thotë se institucionet e Kosovës janë duke bërë përpjekjet maksimale që serbët e veriut të inkuadrohen në jetën institucionale të Kosoves. Por, sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet të bëjë presion te Beogradi zyrtar që ai të mos i nxisë serbët e Kosovës për destabilizim të situatës.

“Natyrisht, çdo destabilitet ndikon edhe në rajon. Në këtë drejtim, integrimi i serbëve të pjesës veriore të Kosovës, do të thosha se është shumë me rëndësi për Kosovën. Por, mbi të gjitha, është i rëndësishëm presioni që duhet të bëhet në Qeverinë e Beogradit, që të mos krijojë politikë konflikt-nxitëse apo që u ngjan edhe ndarjeve etnike dhe konflikteve të viteve të shkuara", theksoi Kuçi.

Ndryshe, analistët për çështje politike, ndërkombëtarë dhe vendorë, kohë më parë kishin konstatuar se Serbia paraqitet si faktor kërcënues për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, duke tentuar drejtpërdrejt apo përmes komunitetit të vet të destabilizojë situatën.
XS
SM
MD
LG