Ndërlidhjet

(Mos)zbatimi i pakos së Ahtisaarit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Një vit pas shpalljes së pavarësisë, përfaqësues të pushtetit konsiderojnë se në masë të madhe kanë zbatuar propozimin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit. Por, forcat politike në opozitë dhe analistët thonë se ende ka ngecje si në zbatimin e pakos, ashtu edhe të Kushtetutës së Kosovës.

Në një udhëzues të zbatimit të pakos së Ahtisaarit, të përpiluar nga Zyra Civile Ndërkombëtare, shihet se institucionet e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, kanë përmbushur pothuaj plotësisht agjendën legjislative. Por, ngecjet më të mëdha vërehen në sektorin e drejtësisë, por edhe në ato dispozita - përmbushja e të cilave varet nga bashkëpunimi me serbët lokalë.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, e sheh si të arriturën më të madhe miratimin e ligjeve të dala nga pakoja e Ahtisaarit.

"Brenda këtij viti e kemi përmbyllur pakon e ligjeve të presidentit Ahtisaari dhe me këtë rast konsideroj se me përpikëri është zbatuar edhe plani gjithëpërfshirës, por njëkohësisht janë zbatuar edhe dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës", thotë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bahri Hyseni.

Në anën tjetër, deputeti opozitar nga Aleanca Kosova e Re, Riza Smaka, pranon se Kuvendi ka përmbushur obligimet në miratimin e ligjeve. Por, ai tërheq vërejtjen se mënyra me të cilën janë miratuar këto ligje, shkakton tek-tuk vakuume juridike.

"Janë vërejtur që nga fillimi disa kolizione, disa kontradiksione dhe vakuume juridike; më pastaj kemi miratuar edhe akte ligjore të tjera, të cilat medoemos, në favor të konstitucionalizimit, do të duhej të rishikoheshin, të harmonizoheshin, të mbuloheshin disa vakuume juridike dhe të evitoheshin disa kolizione juridike", tha Smaka.

Analisti për çështje juridike, Muhamet Kelmendi, konsideron se një vit pas pavarësisë, problem mbetet moszbatimi në tërësi qoftë i dispozitave të pakos së Ahtisaarit, qoftë të vetë Kushtetutës së miratuar qershorin e vitit të kaluar.

"Çështja tjetër na shtrohet në fushën praktike të realizimit të kësaj pakoje të Ahtisaarit, të Kushtetutës dhe legjislacionit që ka Kosova në jetën tonë praktike; kemi probleme me sovranitetin e Kosovës, me tërësinë territoriale, kemi probleme me lirinë dhe të drejtat e qytetarëve, kemi probleme në fushën e punësimit", shprehet Kelmendi.

Procesi i decentralizimit, si dhe reformat në gjyqësi, sipas udhëzuesit të ICO-së, shihen si ngecjet më të mëdha, në të cilat në të shumtën e rasteve nuk ka filluar ende puna.

Muhamet Kelmendi pohon se në vitin e dytë të pavarësisë, kujdes të shtuar duhet t'i kushtohet sektorit të drejtësisë, meqë, siç thotë ai, një shtet juridik matet nga gjykatat dhe prokuroritë.

"Sa janë ato në nivel që t'i kryejnë detyrat sipas Kushtetutës së Kosovës... dhe unë mendoj se problemi më i madh, që Kosova e ka aktualisht, nuk është sovraniteti, ndonëse ne thirremi çdo ditë në tërësinë territoriale dhe sovranitet, por është gjyqësori, sidomos Gjykata Kushtetuese. Unë nuk e dua një gjykatë kushtetuese, e cila do të na ishte e tipit partiak", u shpreh Kelmendi.

Riza Smaka vlerëson se Kosova ka qenë shtet praktikant në vitin e parë të saj si e pavarur. Sipas juristëve, sfida të mëdha mbeten përpara, e kryesorja zbatimi i Kushtetutës në tërë territorin e vendit, përkatësisht shtrirja e autoritetit të Prishtinës zyrtare në veriun e Kosovës dhe në enklavat e banuara me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG