Ndërlidhjet

Hagë: Policët vranë 103 shqiptarë në Krushë të Vogël


Në vazhdim të procesit gjyqësor kundër ish zyrtarit të lartë të policisë së Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq, dëshmitari Lutfi Ramadani tha në Gjykatën Për Krime të Luftës në Hagë se policët serbë kishin vrarë 103 të rinjë dhe burra shqiptarë, në fund të muajit mars të vitit 1999 në fshatin Krushë të Vogël.

Zoti Ramadani dëshmoi se në mesin e të vrarëve ishin edhe dy djemtë e tij, vëllau dhe djali i vëllaut.

Ai mëtutje ka thënë se policët serbë, prej të cilëve disa i ka njohur dhe emrat e të cilëve i ka paraqitur, më 26 mars të vitit 1999, i kanë detyruar 109 shqiptarë nga ky fshat, përfshirë edhe atë vetë, që të futen në një stallë.

"Policët kanë hapur zjarr kundër nesh dhe zjarri nuk është ndalur derisa ata e kanë shpenzuar municionin...Pastaj e kanë ndezur stallën dhe njerëzit kanë filluar të digjen. Zjarri më përfshiu edhe mua, por unë ia dola të shpëtoj", ka treguar Lutfi Ramadani.

Ai tha se vrasjen masive në këtë stallë e kanë mbijetuar ai dhe pesë vetë të tjerë. Sipas tij, trupat e të vrarëve nuk janë gjetur, sepse pas krimit, stalla është shkatërruar me eksploziv.

Vlastimir Gjorgjeviq nga Gjykata për Krime të Luftës në Hagë akuzohet për shpërngulje të dhunshme, dëbim dhe vrasje të civilëve shqiptarë në Kosovë, në vitin 1999.
XS
SM
MD
LG