Ndërlidhjet

Kur do të kompletohet shërbimi diplomatik?


Ministria e Punëve të Jashtme zotohet se së shpejti do zgjidhen bartësit për shërbimin konsullor të shtetit jashtë vendit, por njofton se përzgjedhja e ambasadorëve të shtetit në arenën ndërkombëtare do të marrë kohë.


Procedurat e rregullta ligjore, të cilat parashihen me Ligjin për Ministrinë e Jashtme të Kosovës, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës në fund të vitit të kaluar, dhe korniza kohore, të cilën kërkojnë këto procedura, janë arsyet kryesore që pengojnë përzgjedhjen e menjëhershme të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.

Kështu thonë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilët theksojnë se 22 ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët do të përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare, nuk do të përzgjidhen sipas preferencave politike.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Albana Beqiri, njofton se komisioni parlamentar për punë të jashtme, pas përfundimit të afatit të konkursit publik për këtë çështje, duhet të përpilojë listën e kandidatëve potencialë për ambasadorë - listë kjo nga e cila, pas konsultave ndërmjet presidentit të Kosovës, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, do të emërohen ambasadorët e Kosovës.

"Ligji e parasheh qartë, procedurat janë të zgjatura, të stërzgjatura paksa, sepse për postet e ambasadorëve do të ketë filtra të gjatë dhe të vazhdueshëm. Këta bartës të këtyre posteve do të filtrohen mirë, do të thotë konkursi është i zgjatur një muaj dhe pastaj do t'i nënshtrohet të gjitha hapave të tjerë ligjorë", tha Beqiri.

Opozita kosovare, ndërkaq, vlerëson se stërgjatjet e procedurave për përzgjedhjen e përfaqësuesve të diplomacisë kosovare nuk mund të merren si arsyetim nga ekzekutivi kosovar. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli, thotë se mungesa e ambasadorëve të Kosovës jashtë vendit, dëmton në tërësi diplomacinë kosovare.

"Është e pajustifikueshme në qoftë se Qeveria e Kosovës gjen justifikim qoftë në procedura ligjore, qoftë në rregullativën e nevojshme deri në emërimin e plotë të ambasadorëve. Ende vazhdohet me një ritëm të tillë të punës, kur kihet parasysh se përballë kemi një ofensivë të vendeve që e kundërshtojnë fuqishëm pavarësinë e Kosovës", konsideron Zeneli.

Zeneli mendon se Kosova ka dëshmuar një joefikasitet në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos kur bëhet fjalë për njohjet për Kosovën.

"Kjo është për keqardhje kur kihet parasysh që ende politika e jashtme e Kosovës mbështetet në rolin e miqve ndërkombëtarë - shteteve që e kanë mbështetur Kosovën në vazhdimësi, pa ndërtuar një vizion se si do t'i qaset kësaj sfere", shton ai.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës garanton se brenda një periudhe disaditore do të shpallë konkursin për bartësit e misioneve konsullore, të cilat, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, pritet të jenë funksionale shumë shpejt, duke u garantuar shtetasve kosovarë që jetojnë nëpër vende të ndryshme në botë shërbimet e nevojshme për ta. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Albana Beqiri, sqaron:

"Janë procedurat e fundit të rregullimit të akteve nënligjore që kanë të bëjnë me shërbimin konsullor jashtë dhe shumë shpejt - kur them shumë shpejt, mendoj se është çështje ditësh - do të shpallen konkurset për bartësit e misioneve konsullore", thotë Beqiri.

Në valën e parë të hapjes së ambasadave në botë, Qeveria e Kosovës ka dërguar 10 të ngarkuar me punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Itali dhe të tjera; në valën ë dytë këtyre u janë shtuar dhe 12 ambasada të tjera si dhe 9 zyra konsullore, të cilat janë të përqendruara kryesisht në shtetet ku ka një numër më të madh të emigrantëve kosovarë.
XS
SM
MD
LG