Ndërlidhjet

Haradinaj i gatshëm të ndihmojë në arritjen e paqes në Ugandë


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është prononcuar nëpërmjet një komunikate për opinion rreth mundësisë që ai të angazhohet si ndërmjetës në bisedimet midis Qeverisë së Ugandës dhe Forcave Demokratike Aleate në këtë vend.


Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka konfirmuar njoftimet rreth mundësisë së angazhimit të tij si ndërmjetësues në dialogun në mes të Qeverisë së Ugandës dhe Forcave Demokratike Aleate në Ugandës (ADF).

Në një komunikatë për opinion, thuhet se “zoti Haradinaj preferon që për këtë çështje Qeveria e Ugandës dhe Forcat Demokratike Aleate në Ugandës (ADF) të deklarohen, kurse ai vetë është i gatshëm që në këtë proces të ndihmojë për arritjen e paqes”.

Ish kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar gjithashtu se në një moment më të volitshëm në të ardhmen, ai do të japë sqarime edhe më të hollësishme për këtë proces.

Javën që shkoi, agjencia e lajmeve France-Press ka njoftuar se emri i zotit Haradinaj është propozuar nga rebelët myslimanë në Ugandë, për të ndërmjetësuar në bisedimet paqësore me qeverinë në Kampala.

Zëdhënësi i Forcave Demokratike Aleate, Assad Mukasa pati thënë se “kanë zgjedhur Haradinajn për shkak të përvojës së tij”.

Emri i tij nuk është kundërshtuar as nga qeveria në Kampala. Ministri për punë të brendshme në Uganda, Matia Kasaija, pati thënë se “nuk kemi kundërshtim mbi këtë përzgjedhje”.

Kryengritja e Forcave Demokratike Aleate filloi në vitet e '90-ta, derisa luftimet më të ashpra u zhvilluan ndërmjet viteve 1996-2001. Si pasojë e këtyre luftimeve dhjetëra mijëra njerëz në rajonin Ruenzori, në perëndim të Ugandës u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG