Ndërlidhjet

Pa ligj të punës


Të drejtat e punëtorëve në Kosovë, vazhdojnë të shkelen si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, thonë përfaqësuesit e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Por, zyrtarë nga Ministria e Punës, pohojnë se pas miratimit të ligjit dhe hyrjes në fuqi të tij, gjerat do të përmirësohen.

Në mungesë të ligjit të punës të drejtat e punëtoreve shkelen në masë të madhe në Kosovë, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Kështu deklarojnë zyrtarë nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se në shumicën e rasteve, punëtorët kosovarë punojnë pa kontrata të punës dhe, siç shprehet ai, nuk kanë siguri në vendet e tyre ku punojnë.

“Po, ka shkelje në të dy sektorët, edhe në sektorin shoqëror dhe ne atë privat, sepse punëtorët në sektorin privat nuk kanë kontrata të punës, sigurim në vendin e punës, i marrin dhe i qesin prej punës kur te duan. Nuk i plotësojnë as kushtet më minimale që ekzistojnë për punëtorët në sektorin privat. Nuk ju paguhet puna e natës, rrezikshmëria”, tha Arifi.

Edhe përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, vlerësojnë se si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat ka shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Behxhet Shala drejtor ekzekutiv i këshillit, kritikon institucionet publike dhe ato private se po e shfrytëzojnë mungesën e ligjit të punës dhe po i shfrytëzojnë punëtorët.

“Në fakt sot nuk ka asnjë instrument që do të ndihmonte punëtorët në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Pra është një vakum ligjor të cilin po e shfrytëzojnë të gjithë dhe punëtorët janë ata që pësojnë më së shumti. Ju e dini shumë mirë që në sektorin privat shumica e punëtorëve nuk e gëzojnë të drejtën e stazhit, as një punëtor nuk ka as sigurimin shëndetësor”, tha Shala.

Ligji i punës është duke u përgatitur nga qeveria dhe me pas pritet të kaloj në Kuvendin e Kosovës për miratim. Ky ligj disa herë ka kaluar në kuvend, por nuk është miratuar.

Zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, thotë se nevojitet edhe pak kohë që ligji i punës të kalojë nëpër disa procedura për te arritur me pas në kuvend.

Megjithatë, ai e pranon se në shumë institucione shtetërore ka shkelje të të drejtave të punëtorëve.

“Konsideroj se aprovimi i ligjit të punës nga ana e Kuvendi të Kosovës, ligj i cili është duke u kompletuar në qeveri është një ligj i cili është prioritet dhe një domosdoshmëri edhe nevojë imediate në mënyrë që punëtoret kosovar qoftë edhe përmirësimi i mardhenjeve - raporteve ndërmjet punëmarrësve dhe punëdhënëse duhet të rregullohet kjo çështje me ligj sepse ka shkelje të të drejtave të punëtorëve”, tha Deda.

Ndryshe, të drejtat e punëtorëve në Kosovë deri paraprak kohe janë mbrojtur me disa rregullore te UNMIK-ut për të cilat zëvendësministër Deda i quan të tejkaluara.

“Janë disa rregullore të UNMIK-ut, disa udhëzime administrative të cilat mendojë se janë të tejkaluar. Dhe ne jemi të interesuar ne Kosovë të sundoj ligji të jetë bibla dhe kurani i të gjitha relacioneve dhe të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Ato duhet të jenë të garantuar dhe të mbrojtura me ligj. Jo me udhëzime administrative e rregullore të ndryshme por me ligj”, tha Deda.

Përfaqësues nga BSPK dhe KMDLNJ, konsiderojnë se punëtorët kosovarë, veçmas ata që punojnë në sektorin privat nuk i njohin të drejtat e tyre dhe procedurat e kërkimit të të drejtave në rast se ato mohohen.
XS
SM
MD
LG