Ndërlidhjet

UNMIK-u, i panevojshëm a i pashmangshëm?


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do presë udhëzimet nga KS lidhur me veprimet e ardhshme në Kosovë. Zyrtarë të këtij misioni thonë se roli i ardhshëm i UNMIK-ut do jetë një rol politik dhe raportues.


Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë vepron në linjë me udhëzimet e OKB-së në New York, andaj çështja rreth mandatit dhe rolit të UNMIK-ut në Kosovë është një çështje për të cilën vendos selia e OKB-së.

Kështu tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie, i cili tha se rikonfigurmi i UNMIK-ut është përshpejtuar me fillimin e punës së misionit të Bashkimit Evropian për drejtësi dhe polici, në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Marrja e përgjegjësive në gjyqësi, polici dhe dogana nga EULEX-i do të ndikojë, sipas Geekiet, dhe në zvogëlimin e stafit të UNMIK-ut, i cili deri në verën e këtij viti pritet të arrijë në një numër prej 500 vetash. Ndërkohë, në lidhje me rolin e ardhshëm të UNMIK-ut, ai shprehet:

“Lidhur me këtë, ne jemi aktualisht në tranzicion dhe jemi duke marrë një rol politik dhe raportues me disa kompetenca të mbetura”, u shpreh Geekie, duke mos dashur t’i vlerësojë deklaratat e ministrit të Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, cili ka paralajmëruar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, më 23 mars, do të kërkojë përfundimin e misionit të UNMIK-ut.

“Natyrisht se jemi të informuar për këto komente, por ministri i Jashtëm do të ketë mundësi për të paraqitur qëndrimin e tij gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit, me datën 23 të këtij muaji, dhe Këshilli i Sigurimit mund ta marrë parasysh këtë”, shtoi Geekie.

Mirëpo, rikonfigurimi i UNMIK-ut si çështje që pritet të diskutohet në New York, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, duhet të shkojë në drejtim të shuarjes së misionit.
Ne mendojmë se ristrukturimi duhet të shkojë në drejtim të përfundimit të plotë të këtij misioni.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, sqaron qëndrimin e institucionit të cilin përfaqëson.

“Realisht nuk ekziston një racionale për vazhdimin e këtij misioni. Ne mendojmë se ristrukturimi duhet të shkojë në drejtim të përfundimit të plotë të këtij misioni”, tha Krasniqi.

Analistët për çështje politike në Prishtinë, ndërkohë, i quajnë joreale kërkesat e ekzekutivit kosovar për përfundimin e rolit të UNMIK-ut në Kosovë.

Analisti Ilir Deda mendon se mandatimi i këtij mekanizmi nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të lehtësuar dialogun e mundshëm Prishtinë-Beograd si dhe për të përfaqësuar Kosovën në forume ndërkombëtare, ku Kosova si shtet i pavarur nuk merr pjesë, tregon për nevojën e pranisë së këtij institucioni në Kosovë.

“Jo, roli i UNMIK-ut nuk ka përfunduar në Kosovë dhe nuk do të përfundojë në Kosovë derisa të zgjidhen dy çështje. Pra, derisa numri i shteteve, të cilat e pranojnë pavarësinë e Kosovës, arrin numrin 127, do të thotë dy të tretat e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe derisa Këshilli i Sigurimit e ndërron Rezolutën 1244 dhe e zëvendëson atë më një rezolutë tjetër”, theksoi Deda.

Misioni i OKB-së, sipas planeve të deritanishme, do të ketë një Zyrë Ndërlidhëse për Sundimin e Ligjit në Kosovë, si dhe do të përfaqësojë Kosovën në marrëveshjet dhe organizatat, siç është CEFTA apo Interpoli, e të cilat nuk e njohin Kosovën si subjekt të pavarur në arenën ndërkombëtare.

Prishtina
Ndryshe, sipas analistëve, duhet të duket skenari i veprimeve në aspektin e politikave dhe zhvillimeve të brendshme në Kosovë, për të cilat, siç kanë thënë ata, tani janë përgjegjëse institucionet e Kosovës dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit - EULEX.


“UNMIK-u, në njëfarë mënyre, është irelevant për çështjet e brendshme në Kosovë, që do të thotë se nuk ka as administratë, e as agjendë. Roli i UNMIK-ut më shumë shërben si një mbështetës i Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare. Për qeverisjen në Kosovë janë përgjegjës Qeveria e Kosovës dhe EULEX-i”,
tha analisti për çështje politike, Deda.

Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë shprehur gatishmërinë e tyre të bashkëpunojnë me EULEX-in, por kanë theksuar se përfundimi i mandatit të misionit të OKB-së në Kosovë është i papranueshëm.
XS
SM
MD
LG