Ndërlidhjet

Ruajtja e trashëgimisë kulturore


Mitrovicë
Mitrovicë

Sipas Policisë së Kosovës, krahasuar me vitet e kaluara, ka rënie të veprave penale që kanë cak objektet kulturore e fetare. Arsyet kryesore të sulmeve ndaj tyre kanë të bëjnë më shumë për përftime materiale sesa për motive ndëretnike.


Mekanizmat e sigurisë në Kosovë thonë se janë të përkushtuar në mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, në drejtim të parandalimit të veprimeve kriminale, të cilat juanë duke ndodhur.

Besart Shaqiri, nga Policia e Kosovës, thotë se janë të gatshëm t’i marrin në mbikëqyrje të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, por kjo do të bëhet kur mekanizmat ndërkombëtarë që janë në Kosovë, vlerësojnë se janë pjekur kushtet për bartjen e përgjegjësive.

Në kuadër të përgjegjësive të deritanishme të trupave të KFOR-it në Kosovë, hyn ndër të tjera dhe mbrojtja e monumenteve fetare dhe të kultit, me theks të veçantë te kishat ortodokse.

“Një pjesë e madhe e këtyre objekteve, që deri më tani kanë qenë nën mbikëqyrjen e KFOR-it, pritet të kalojnë nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës. Aktualisht është duke ruajtur 9 objekte që janë manastire dhe monumente ortodokse serbe”, thotë ai.

Toger Shaqiri konfirmon se me një vendim të Qeverisë së Kosovës, 17 objekte fetare serbe sigurohen 24 orë nga Policia e Kosovës, por asnjë objekt kulturor mysliman.

Derisa në vitin 2008 kanë qenë rreth 66 raste të identifikuara nga Policia e Kosovës që kanë kryer vepra penale ndaj trashëgimisë kulturore fetare, në këtë tremujor të vitit 2009 janë regjistruar vetëm 2 raste, që nënkupton se ka rënie të veprave penale që kanë cak objektet kulturore dhe fetare.

Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, zoti Shaqiri, thotë se zakonisht kryesit kanë bërë vepra penale për përfitime personale të kundërligjshme, por jo edhe raste që ndërlidhen me çështje etnike e fetare. Ai konfirmon se për këto raste ka të arrestuar nga të gjitha komunitetet.

“Policia e Kosovës ka vazhduar aktivitetet e saj në drejtim të parandalimit të dukurive negative, të çfarëdo rasti që ka ndodhur ndaj trashëgimisë kulturore dhe fetare. Policia reagon ndaj të gjithëve dhe nuk paragjykon se cilës përkatësi etnike i përket i dyshuari”,
theksoi Shaqiri.

Ndërsa, Burbuqe Deva, udhëheqëse e Departamentit për trashëgiminë kulturore në Ministrinë e Kulturës, thotë se rrezikshmëria e trashëgimisë kulturore ekziston në të gjitha objektet kulturore.

Zonja Deva thekson se për investime në fushën e trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës ka ndarë një shumë mbi 1 milion euro.

“Çështja e rrezikimit të objekteve kulturore dhe fetare nuk është e ndarë në baza etnike. Por, zakonisht, ata që kanë bërë vepra penale dhe kanë rrezikuar një objekt të trashëgimisë kulturore, sipas raporteve, ato janë dëmtuar për përftime materiale”, thotë zonja Deva.

Ndryshe, sipas pakos së presidentit Ahtisaari, Policia e Kosovës është e obliguar që të ketë operacione në drejtim të sigurisë së objekteve fetare serbe.
XS
SM
MD
LG