Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Maqedoni


Në Maqedoni, zgjedhjet presidenciale dhe lokale po mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike, ndërsa deri në orën 13 dalja e qytetarëve është 26 për qind. Të drejtën për të zgjedhur shefin e shtetit dhe drejtuesit e rinj të pushtetit vendor e kanë 1.792.082 votues.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor kumtoi se për shkak të motit të keq dhe bllokimit të rrugëve, procesi zgjedhor nuk është duke u zhvilluar në 103 vendvotime, që përfshin rreth 12 000 apo 3 për qind të trupit elektoral.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, vendvotimet janë të hapura prej orës 7 deri në ora 19, ndërsa të drejtën për të zgjedhur shefin e shtetit dhe drejtuesit e rinj të pushtetit vendor kanë 1.792.082 votues.

Të drejtën e votës, qytetarët që nuk kanë pasur të drejtë vote do të mund ta realizojnë pas 14 ditësh, përkatësisht më 5 prill.

Sipas të dhënave të vëzhguesve dhe kordinatorëve rajonalë të asociacionit qytetar Most, deri në ora 9 të mëngjesit nuk janë hapur 41 vendvotime për zgjedhjet presidenciale dhe lokale.

Sipas Most, arsyeja kryesore janë rrugët e bllokuara për shkak të rreshjeve të dëborës, ndërsa në dy vendvotime për shkak të dërgesës së gabuar të materialit zgjedhor.

Zëdhënësja e Mostit, Sllavica Biljarska, thotë se vendovitimet nuk janë hapur në fshatrat e komunave Shtip, Makedonska Kamenica, Koçanë, Studeniçanë, Drugovë, Kriva Pallankë, Kratovë, Strugë, Rankovec, Mavrovë dhe Rostushe, Zhelinë, Makedonski Brod dhe komuna Ohër.

Me vonesë votimi ka nisur në një vendvotim në Ohër, në Zhelinë dhe në dy vendvotime në komunën e Prilepit. Në komunën e Sarajit, në dy vendovotime është dërguar material i gabuar zgjedhor.

Zgjedhjet për president për herë të parë mbahen sipas Kodit të ri zgjedhor. Për kryetar do të zgjedhet kandidadti që sot do të fitojë shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të votuesve të evidentuar në listën zgjedhore.

Nëse asnjëri nuk e merr shumicën e nevojshme, pas 14 ditësh do të organizohet raundi i dytë në të cilin do të shkojnë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota. Do të fitojë ai që do të marrë më shumë vota, por me kusht që në zgjedhje të dalin së paku 40 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve në Maqedoni.

Për pushtetin lokal në gjithsej 84 komuna dhe në qytetin e Shkupit ka 365 kandidatë për kryetar komunash dhe rreth 700 lista me kandidatë për anëtarë të këshillave komunale.

Në Shkup votohet me pesë fletëvotime, për të cilat do të ketë pesë kuti votimi, ndërsa në komunat tjera do të ketë nga tre fletëvotime.

Këto zgjedhje ndiqen nga një numër i madh i vëzhguesve të vendit dhe të huaj. Janë akredituar 6.981 vëzhgues, prej të cilëve pjesa dërrmuese janë nga Asociacioni Most, dhe 550 vëzhgues të huaj, pjesa dërrmuese nga OSBE.

Zgjedhjet e sotme presidenciale dhe lokale pritet të përmirësojnë imazhin e keq pas zgjedhjeve të dhunshme të vitit e kaluar.

Komuniteti ndërkombëtar paralajmëron se këto zgjedhje duhet të kalojnë në një atmosferë të qetë, demokratike, pa dhunë dhe të mos ketë parregullsi. Ky është kushti që i është vënë Maqedonisë për vazhdimin e rrugës së saj drejt integrimeve euroatlantike.
XS
SM
MD
LG