Ndërlidhjet

Politika dhe funksionalizimi i AKI-së


Agjencia Kosovare e Inteligjencës vazhdon të jetë akoma jofunksionale tërësisht, pasi që ende nuk është kompletuar hierarkia udhëheqëse e këtij institucioni. Opozita kosovare kritikon Qeverinë për, siç thuhet, ngecje.



Përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës thonë se ndërtimi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës është duke shkuar në përputhje me kriteret më të larta ndërkombëtare.

Mirëpo, përveç emërimit të drejtorit, në këtë institucion nuk janë emëruar zyrtarë të tjerë përgjegjës, me të cilët do të kompletohej struktura udhëheqëse e këtij mekanizmi.

“Shumë shpejt” është termini kohor brenda të cilit, sipas përfaqësuesve të ekzekutivit kosovar, pritet të emërohen zyrtarët tjerë në këtë organ të sigurisë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo gjë do të zgjidhet në një afat të shkurtër kohor.

“Unë besoj që në ditët në vijim presidenti dhe kryeministri do të konsultohen bashkërisht për plotësimin e vendeve vakante. Ata janë organ i pavarur nga Qeveria dhe në kuptimin e saj ata ende funksionojnë kështu. E kanë gjithë mbështetjen tonë edhe logjistike, edhe politike, edhe legale, për të funksionuar në mënyrë të pavarur sipas ligjit dhe Kushtetutës”, tha Kuçi.

Përfaqësuesit e opozitës në vend janë më kritikë në lidhje me procesin e deritanishëm të përzgjedhjes së zyrtarëve në AKI. Kështu, anëtari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri nga radhët e AAK-së, Ibrahim Selmanaj, konsideron se institucionet e vendit po tregohen neglizhente ndaj këtij institucioni të rëndësishëm.

“Neglizhencë në vazhdimësi e Qeverisë së Kosovës, e të gjitha vendimeve, të cilat janë vendime serioze dhe që duhet ta shtyjnë procesin - jo vetëm tash në rastin konkret të funksionimit të saj, që është shumë e domosdoshme për Kosovën, që kemi të bëjmë me inteligjencën".

"Është mosfleksibilitet besoj në mes të koalicionit qeverisës, që në situata të caktuara nuk mund ta gjejnë kompromisin për emërimin e njerëzve adekuatë. Kjo pikërisht është edhe pika kryesore deri që të identifikojnë njerëzit e partisë dhe njerëzit e dëgjueshëm”,
tha Selmanaj.

Por, anëtari tjetër i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Agim Veliu, është i mendimit se mosfunksionalizimi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe emërimi i zyrtarëve aty, nuk kanë të bëjnë fare me koalicionin PDK-LDK.

Ai thotë se në forumet e partisë së tij asnjëherë nuk është diskutuar për atë çështje. Veliu madje thekson se njerëzit në ato institucione duhet të jenë apolitikë.

“Assesi nuk mendoj se duhet t’u takojnë partive politike. Aty duhet të jenë profesionistë. Është fjala për një institucion që është shumë i rëndësishëm dhe duhet të jetë i ndërtuar nga profesionistët. Ta kryejë punën ashtu siç kërkohet me ligj, e jo të jetë i ndikuar nga politika, sepse ndryshime politike bëhen shpesh dhe nuk do të ishte mirë të ketë ndikime politike aty çdo ditë”, tha Veliu, nga LDK-ja.

Ndërkaq, zoti Selmanaj shton se mungesa e funksionalizimit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës do të këtë pasoja edhe në rrafshin e sigurisë nacionale.

“Pasojat do të jenë se veprimi i inteligjencës ose veprimi i mekanizmit të inteligjencës në Kosovë është më i vonuar sesa shërbimet e tjera
”, theksoi ai.

Por, zoti Kuçi nuk pajtohet me një konstatim te tillë.

“Do të jemi të kujdesshëm që ndërtimi të jetë sa më adekuat, të jetë sa më profesional dhe sa më i qëndrueshëm. Çështja e sigurisë në Kosovë nuk varet vetëm nga ndonjë shërbim i caktuar dhe duhet ta heqim mentalitetin që në Kosovë shërbimet mund të bëjnë ndonjë punë të madhe. Kosova është projektuese dhe prodhuese e paqes”, deklaroi Kuçi.

Ndryshe, në një konferencë të policive të shteteve të rajonit, e organizuar në Prishtinë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ambasada Amerikane në Kosovë, janë ofruar të dhëna që dëshmojnë se në Kosovë veprojnë së paku 20 shërbime të huaja sekrete.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës është agjencia e parë legale e inteligjencës në Kosovë, e cila, siç thuhet nga përfaqësuesit e Qeverisë, do të ndërtohet me asistencën e fuqishme të aleatëve perëndimorë.
XS
SM
MD
LG