Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale në nëntor


Në bazë të Ligjit për zgjedhje dhe pas konsultimit me partitë politike, presidenti i Republikës së Kosovës do të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Një gjë të tillë e rikonfirmon zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, duke theksuar se në kohë optimale do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

“Presidenti Sejdiu do t’i respektojë obligimet përgjegjëse që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe do t’i thërrasë udhëheqësit e subjekteve politike në vend për të caktuar ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale".

"Të paktën katër muaj përpara se të mbahen këto zgjedhje, në bazë të normave dhe ligjeve në fuqi, është paraparë që afati i mbajtjes së zgjedhjeve të caktohet jo më larg se gjashtë, por as me afër se katër muaj nga data e zgjedhjeve”,
tha Beqiri.

Bazuar në mandatin e zgjedhjeve të fundit, institucionet në nivelin lokal kanë mandat deri në vjeshtën e këtij vitit.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zait Xhemaji, thotë se data e mbajtjes së zgjedhjeve duhet caktuar gjashtë muaj para se t’i kalojë mandati qeverisjes aktuale komunale.

Xhemajli pohon se KQZ-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe është e gatshme kurdo që të mbahen zgjedhjet lokale.

“Ne jemi të emëruar për ta zbatuar vendimin e presidentit. Sipas asaj që ne e kemi me planin operacional, i kemi të gjitha përgatitjet dhe infrastrukturën ligjore”, tha Xhemajli.

Por, ai theksoi se KQZ-ja ka bërë përgatitje vetëm për komunat ekzistuese dhe jo për ato që priten të formohen me procesin e decentralizimit.

“Zgjedhjet mbahen sipas ligjit mbi zgjedhjet lokale dhe mbahen për të gjitha komunat që janë. Për këto komunat sipas planit për decentralizim, do të shohim se si do t’ia bëjmë. Për komunat e reja ne i përgatisim zgjedhjet”,
tha Xhemajli.

Zoti Beqiri, nga Presidenca e Kosovës, konsideron se zgjedhjet lokale do të mbahen në kohën e paraparë dhe se nuk do të ketë vonesa sa i takon përcaktimit të datës.

“Unë besoj që, me sa kemi dëgjuar edhe nga përfaqësuesit e subjekteve politike, ka një konsensus të përgjithshëm që zgjedhjet lokale të mbahen gjatë kësaj vjeshte, përafërsisht kah muaji nëntor. Kështu që nuk parashikojmë të ketë asnjë vonesë apo ndonjë komplikim në këtë punë”, tha Beqiri.

Sidoqoftë, mbajtja e zgjedhjeve mbetet edhe çështje konsensusi politik, përderisa një rol të veçantë në vendimin definitiv do të ketë edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, si autoritet që ka për mandat të mbikëqyrë zbatimin e Planit të Ahtisaarit.
XS
SM
MD
LG