Ndërlidhjet

Problemet energjetike largojnë investitorët


Kosova A
Kosova A
Drejtues të institucioneve në Kosovë vlerësojnë se kanë shënuar progres në konsolidimin e ambientit të favorshëm për investime, mirëpo furnizimi i rregullt me energji elektrike vazhdon të mbetet problem i vazhdueshëm për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë një konference të organizuar nga përfaqësues të “Forumit ekonomik të Vjenës” në Prishtinë, autoritetet kosovare kanë ftuar investitorët e huaj që të vijnë të investojnë në Kosovë, pasi që tani, sipas tyre, Republika e Kosovës ofron kushte të mira për investime, ambient të sigurt dhe kornizë ligjore në përputhshmëri me ato të BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ftoi të gjitha vendet në rajon dhe më gjerë që t’i përcjellin arritjet e Kosovës dhe të binden në shoqërinë e pjekur dhe demokratike kosovare, si dhe ta njohin realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

“Vizioni im për zhvillimin ekonomik të Kosovës paraqet bazën për një Kosovë shtet të të gjithë qytetarëve të saj, i zhvilluar në përputhshmëri me parimet demokratike, me një ekonomi të qëndrueshme, me një shoqëri shumetnike dhe me një përkushtim të plotë për integrimin euro-atlantik”, u shpreh Thaçi.

Duke përmendur ndryshimet në politikat fiskale për krijimin e një ambienti më të favorshëm investues, kryeministri Thaçi konfirmoi se në Kosovë ka rritje të qëndrueshme ekonomike prej 5. 5 për qind.

“Kosova ofron mundësi të shumta për investime, pasuri, resurse natyrore, tokë pjellore, popullatë të re dhe të motivuar, kornizë ligjore moderne dhe kompatibile me ato të BE-së. Pra, ne kemi krijuar ambient të përshtatshëm për investime - procedurë e thjeshtë e regjistrimit të bizneseve, trajtim i biznesit të huaj sikur të jetë vendor etj.”, tha Thaçi.

Në konferencën “Vienna economic forum”, me temën “Investo në Kosovë - investo në rajon”, ku po marrin pjesë rreth 180 pjesëmarrës nga 90 vende të rajonit, kryeministri Thaçi ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me kryetarin e këtij forumi, Erhard Busek, që nënkupton anëtarësimin e Kosovës në këtë forum.

Kryetari i Forumit Ekonomik të Vjenës, Erhard Busek, ka theksuar se Kosova që nga vitet e 80-ta e së këndejmi, ka ndryshuar shumë dhe është zhvilluar. Zoti Busek pohon se ndryshimet që janë bërë në krahasim me vitet paraprake nga kosovarët, janë mbresëlënëse dhe janë arritur përparime të dukshme.

“Ne jemi duke vuajtur të gjithë nga kriza ekonomike globale dhe nga vështirësitë ekonomike. Por, nga këtu ne kemi mësuar se jemi të lidhur në mënyrë globale dhe se jemi të lidhur gjithashtu në Evropë”, ka theksuar Busek.

Në anën tjetër, çështja e furnizimit të rregullt me energji elektrike në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë për investime dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Lidhur me këtë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, pohon:

“Qeveria e Kosovës është duke ndërmarrë hapa konkretë në disa fusha, siç është pjesëmarrja në sektorin privat. Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i hapë dyert për pjesëmarrjen e sektorit privat në KEK. Ajo synon të arrijë tri qëllime kryesore: të sigurojë efikasitet në menaxhimin e aseteve publike, të sigurojë mundësi për investime dhe krijim të vendeve të punës, si dhe t’i tregojë bashkësisë ndërkombëtare se Kosova u është mirënjohëse bizneseve”.

Ministri Shala prezantoi edhe rritjen e investimeve publike, me qëllim të krijimit të një mjedisi më të mirë për afarizëm dhe një proces më të përshpejtuar të integrimit të Kosovës në BE.

Ndërsa, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula, pohoi se Qeveria dhe rregullatori për energji me shpejtësi po plotësojnë kuadrin ligjor për sektorin energjetik, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Sigurimi i energjisë elektrike është sfidë e vështirë për ta tejkaluar, pasi që kërkohen reforma të guximshme dhe investime kapitale në sistemet energjetike, kryesisht në sektorin e gjenerimit të energjisë elektrike”, tha Shiroka Pula.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka identifikuar një plan me prioritetet strategjike që do ta përshpejtojnë zhvillimin e Kosovës në rrugën e rritjes ekonomike, siç janë energjetika, infrastruktura rrugore, arsimi, shëndetësia, rendi dhe ligji.

Sipas autoriteteve kosovare, realizimi i të tilla prioriteteve do të mundësojë krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e kujdesit shëndetësor, si dhe rritjen ekonomike.
XS
SM
MD
LG