Ndërlidhjet

Obama dhe Zapatero për Kosovën


Barack Obama
Barack Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, do të takohet me kryeministrin spanjoll, Jose Luis Zapatero, me ç'rast një nga temat e bisedimeve do të jetë Kosova.




Kryeministri i Spanjës, Jose Luis Zapatero, vendimi i të cilit për tërheqjen e trupave spanjolle nga Kosova e shqetësoi Uashingtonin, do të takohet me presidentin amerikan, Barack Obama, më 5 prill.

Zapatero, i cili asnjëherë nuk ka pasur takim formal me presidentin e mëparshëm amerikan, George Bush, do të takohet me presidentin Obama në margjinat e samitit SHBA-BE në Pragë.

Jose Luis Zapatero

"Kuptohet, po e pres me mjaft interesim, me interesim të jashtëzakonshëm takimin me presidentin Obama, i cili përfaqëson shpresën e madhe për çdo njeri",
tha Zapatero, të shtunën, gjatë samitit të liderëve të qendrës së majtë në Kil.



"Ia shpreha këtë edhe nënpresidentit Joe Biden",
tha Zapatero në samitin në Vina del Mar, transmeton agjencia AFP njoftimin nga ueb-faqja e Qeverisë spanjolle.

Marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë socialiste të Zapateros dhe administratës republikane të presidentit Bush ishin të shtrënguara pas vendimit të Madridit për t'i tërhequr trupat nga Iraku dhe për t'u afruar me Kubën.

Së fundmi, Qeveria spanjolle e befasoi administratën demokratike të presidentit Obama, kur më 19 mars shpalli se do t'i tërheqë 630 trupat e saj nga Kosova, të cilët shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, tha javën e kaluar se ka biseduar me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, për t'ia shpjeguar vendimin e Madridit.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG