Ndërlidhjet

Shqipëria / Kroacia - zyrtarisht në NATO


Shqipëria dhe Kroacia zyrtarisht u anëtarësuan në NATO, duke e çuar në 28 numrin e vendeve anëtare të Aleancës. Lajmi u konfirmua pasi ambasadorët e të dyja vendeve në SHBA i dorëzuan "instrumentet e anëtarësimit" gjatë një ceremonie në Departamentin amerikan të Shtetit.


Ky veprim i fundit burokratik ishte përmbyllje e një procesi të gjatë një vjeçar, gjatë të cilit 26 vendet anëtare të NATO-s ratifikuan hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë.

"Shqipëria dhe Kroacia kanë punuar shumë për të përmbushur standardet e Aleancës që lidhen me shkallën e demokracisë dhe zhvillimin e forcave ushtarake", tha zëdhënësi i NATO-s në Bruksel James Appathurai.

Ky i hap i lejon kryeministrat e Shqipërisë dhe Kroacisë, Sali Berisha dhe Ivo Sanader t'i bashkohen udhëheqësve të tjerë të Aleancës në takimin e 60 vjetorit të NATO-s që do mbahet në Strasburg dhe Kehl të premten dhe të shtunën.

"Anëtarësimi në NATO është një hap pozitiv që do ta ndihmojë Shqipërinë t'i afrohet më me shpejtësi Bashkimit Evropian", tha ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa.

Oketa shtoi se anëtarësimi në Aleancë nuk është "stacioni përfundimtar, por një proces i gjatë pune me detyra dhe përgjegjësi".

Kryeministri kroat, Ivo Sanader, tha se "kemi përmbushur qëllimin për të cilin jemi përpjekur për 20 vjet".

Zëdhënësi i NATO-s në Bruksel, James Apathurai tha se Shqipëria e Kroacia "tejkaluan një periudhë të vështirë në historinë e Ballkanit". Ai theksoi se të dyja vendet tashmë "përfitojnë nga siguria kolektive e Aleancës, por edhe do të ndajnë përgjegjësitë që kërkon kjo siguri kolektive".
XS
SM
MD
LG