Ndërlidhjet

Bashkëpunimi për decentralizimin


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Zyrtarë nga Ministria e Pushtetit Lokal thonë se nga takimet e fundit me banorët serbë që jetojnë në Kosovë dhe me disa liderë të tyre, gjërat kanë ndryshuar në të mirë, sa i përket bashkëpunimit në procesin e decentralizimit.


Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës u bëjnë thirrje të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, që të bashkohen në procesin e decentralizimit. Udhëheqësit e Ministrisë së Pushtetit Lokal pohojnë se janë duke vazhduar takimet me banorët serbë të Kosovës që t’i bindin për procesin e decentralizimit.

Ministri Sadri Ferati thotë se kohëve të fundit, pas disa takimeve me banorët e komunitetit serb, qëndrimet e tyre kanë ndryshuar në të mirë.

“Mund të them se kohëve të fundit është një komunikim më i fuqishëm dhe një pjesëmarrje më e madhe e tyre, por, njëkohësisht, edhe një interesim më i madh. Tani kemi një numër të madh të qytetarëve serbë, e sidomos nga shoqëria civile, por edhe nga disa liderë lokalë, të cilët thërrasin dhe shprehin dëshirën e tyre që të takohemi, të sqarohemi, të shpjegojmë; është një ndryshim, një klimë më e relaksuar në këtë drejtim”,
tha ministri Ferati.

Sipas tij, shumica e banorëve serbë që jetojnë në Kosovë, e përkrahin procesin e decentralizimit, por, shton zoti Ferati, Beogradi zyrtar po vazhdon t’u bëjë presion atyre, duke i kërcënuar në mënyra të ndryshme që të mos bashkëpunojnë me Qeverinë e Kosovës.

“Qëndrimi i Beogradit shkon në drejtimin e motiveve politike, ngase nëpërmes pranimit të decentralizimit, integrimit në shoqëri, marrjes së të drejtave dhe menaxhimit me ato të drejta që parashikohen për nivelin lokal, atëherë Kosova do të duket si një shtet normal dhe funksional. Dhe, pikërisht Beogradi përdor elementin serb në Kosovë, që ta shantazhojë funksionalitetin dhe ai të jetë një argument që do të kritikonte shtetin e Kosovës”, u shpreh ministri Ferati.

Edhe Drejtori i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, konsideron se Beogradi po pengon serbët e Kosovës që të bashkëpunojnë më Ministrinë e Pushtetit Lokal për procesin e decentralizimit.

“Ata hezitojnë të marrin pjesë, pasi që kanë instruksione nga vetë Beogradi zyrtar. Tendenca e Ministrisë për të shpjeguar beneficionet që dalin nga vetë pakoja e Ahtisaarit dhe Ligji për vetëqeverisje lokale, është për t’u përshëndetur. Mirëpo, para se të ndodhë ajo, duhet që Ministria të ketë një ofertë konkrete të përgatitjeve që janë duke ndodhur. Përderisa nuk e kemi një qasje paralele në këtë aspekt, ne do të bëjmë takime vetëm për të bërë takime dhe jo për të ndryshuar situatën në terren”, deklaroi Tahiri.

Ndërsa, sa i takon bindjes së serbëve për ta pranuar decentralizimin, Tahiri konsideron se institucionet e vendit duhet të punojnë me një strategji të veçantë. Sipas tij, strategjia duhet të jetë në tri drejtime.

“Në radhë të parë duhet të shpjegohen saktësisht beneficionet që vijnë prej procesit të decentralizimit; pra, cili është beneficioni për vetë qytetarët e atij lokaliteti, duke u nisur nga punësimi në radhë të parë, për arsye se komuna e re do të marrë një punëtor të komunitetit që vjen nga vendbanimi; në radhë të dytë, mundësitë për investime kapitale që vijnë prej transferimit të granteve që i bën Ministria e Ekonomisë dhe Financave për pushtetin lokal; në radhë të tretë, për mundësinë e bashkëpunimit ndërkomunal”, tha Tahiri.

Brenda tre vjetësh, Kosova parashihet t’i ketë 38 komuna; prej tyre - dhjetë me shumicë serbe, një me shumicë turke dhe të tjerat me shumicë shqiptare. Qeveria ka ndarë rreth 3.3 milionë euro vetëm për objektet e infrastrukturës për komunat e reja. Sidoqoftë, procesi mbetet i ndërlidhur me pjesëmarrjen e serbëve, sidomos në veri të Kosovës, ku strukturat paralele janë më të theksuara.
XS
SM
MD
LG