Konfrontimi politik midis udhëheqësve të zemëruar opozitarë dhe qeverisë moldave po vazhdon, me gjithë bisedimet shumëpalëshe që u mbajtën pas protestave të dhunshme antiqeveritare, në kryeqytetin e Moldavisë, Chisinau.
Megjithatë, autoritetet e rendit duket se kanë rikthyer kontrollin gjatë natës në zyrat presidenciale dhe parlamentare, të cilat gjenden afër sheshit qendror në Chisinau, ku pjesa më e madhe e trazirave ishte e përqëndruar.
Agjencia ruse e lajmeve RIA ka cituar ministrin e brendshëm duke thënë se policia ka arrestuar 193 protestues në Chisinau, duke i ngarkuar ata me dyshimet për plaçkitje, huliganizëm, vjedhje dhe akte kriminale.
Protestuesit kanë thënë se planifikojnë të vazhdojnë protestat e tyre, pavarsisht nga gjuha e ashpër e presidentit Vladimir Voronin, Partia Komuniste e të cilit fitoi zgjedhjet e së dielës. Kritikët besojnë se gjatë votimeve ka pasur mashtrime.