Ndërlidhjet

Tadiq, mesazhe nga Deçani


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë sot në Manastirin e Deçanit se ka vetëm një porosi në këtë, siç e ka quajtur ai, ditë hidhërimi dhe shprese njëkohësisht për botën e krishterë.

“Kam vetëm porosi paqeje; paqe për serbët, shqiptarët, për të gjithë që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë”, ka thënë presidenti i Serbisë me të përfunduar ceremonia në Manastir, me rastin e kremtes se Pashkëve ortodokse.

Zoti Tadiq ka hyrë në Kosovë pas një kërkese që i ka bërë zyrës së përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Pieter Feith.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një komunikatë për opinion, ka thënë se ka lejuar hyrjen e zotit Tadiq, “nisur nga fakti se ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës e konsideron këtë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare”.

Në komunikatë, zoti Thaçi gjithashtu ka potencuar se “nëse Presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar”.
XS
SM
MD
LG