Ndërlidhjet

Obama publikon dokumente nga epoka Bush


Presidenti Barack Obama
Presidenti Barack Obama
Shtetet e Bashkuara nuk do të përdorin teknika që cilësohen si torturë nga grupet e të drejtave të njeriut. Kjo ka qenë një ndër përparësitë e presidentit Barack Obama në muajt e parë të presidencës.


Në këtë kuadër, Obama lejoi bërjen publike të disa dokumenteve, përmes të cilave administrata Bush lejonte përdorimin e teknikave të ashpra në marrjen në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm.

Ky hap i Obamas nënvizon vendosmërinë e tij për t’u shkëputur nga ajo që përfaqësojnë këto dokumente.

"Kemi kaluar në një kohë të errët dhe të dhimbshme të historisë sonë. Por, në kohë sfidash të mëdha dhe të një mungese shqetësuese uniteti, nuk fitohet asgjë duke harxhuar energji dhe kohë për të fajësuar të shkuarën", thuhet në deklaratën shoqëruese nga Shtëpia e Bardhë, me rastin e bërjes publike të katër dokumenteve.

Këto të fundit janë vlerësime ligjore, përgatitur nga administrata Bush, për të justifikuar dhe rekomanduar përdorimin e teknikave të ashpra ndaj terroristëve të dyshuar.

Në mesin e teknikave që janë lejuar, përfshihet dhe zhytja në ujë apo lënia pa gjumë e të dyshuarve. Përdorimi i teknikave të tilla, sipas presidentit aktual amerikan, "zhvlerëson autoritetin tonë moral dhe nuk na bën më të sigurt".

Por, Obama ka shtuar se agjentët e CIA-s që praktikuan metoda të tilla, nuk do të ndëshkohen.

Njëherësh, administrata aktuale nuk u deklarua nëse do të përjashtoheshin nga ndëshkimi dhe agjentët e CIA-s që i tejkaluan rekomandimet e administratës Bush.

Bërja publike e dokumenteve në fjalë ka nxitur si vlerësime pozitive, ashtu dhe negative në Shtetet e Bashkuara.

Xhamel Xhafer, një nga avokatët e Unionit Amerikan për të Drejta Civile, tha se "dokumente të tilla nuk duhet të ishin shkruar kurrë, por jemi të kënaqur që ato janë bërë publike".

Një tjetër grup, që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, ka fajësuar Obaman që nuk ka lejuar ndëshkimin e atyre që praktikuan metoda të tilla.

"Departamenti i Drejtësisë duket se u ofroi rrugën për të qëndruar jashtë burgut, në liri, individëve të përfshirë në akte torture",
thuhet në deklaratën e Larry Cox, drejtor ekzekutiv i Amnesty International.

Në mesin e kritikëve të Obamas ishte dhe Human Rights Watch.

"Presidenti Obama tha se nuk fitohet asgjë duke fajësuar të shkuarën. Por, ky nuk është një pozicion që mbahet në demokracitë funksionale. Llogaridhënia është një nevojë absolute në demokraci. Është gjithashtu e nevojshme që të rregullohet reputacioni i Amerikës, që është dëmtuar ndjeshëm gjithë kjo histori. Një tjetër element i rëndësishëm është që të sigurohemi se këto krime nuk do të ndodhin sërish në të ardhmen", tha Tom Porteous, drejtor i Human Rights Watch në Londër.

Kritikat ndaj hapit më të fundit të Obamas nuk kanë ardhur vetëm nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Michael Hayden, ish-drejtor i CIA-s në kohën e administratës Bush, tha se publikimi i dokumenteve do të bëjë që oficerët e CIA-s të jenë më të tërhequr, si dhe do të bëjë që agjencitë e zbulimit të vendeve të tjera të na shikojnë me mosbesim, duke theksuar se Uashingtoni "nuk mund të mbajë sekrete".

Bërja publike e dokumenteve nga koha e administratës Bush tregon dhe një herë se Obama në mënyrë të hapur do të ndryshojë disa nga politikat më kundërthënëse të administratës paraprake.
XS
SM
MD
LG