Ndërlidhjet

Bojkotimi i Konferencës kundër racizmit


Lëshojnë sallën gjatë fjalimit të Ahmadinejadit...
Lëshojnë sallën gjatë fjalimit të Ahmadinejadit...
Gjatë Konferencës së Kombeve të Bashkuara kundër racizmit, që zhvilloi punimet në Gjenevë, presidenti i Iranit, Mahmmod Ahmadeinejad, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Izraelit, duke e quajtur “regjim të vrazhdë dhe racist” dhe tha se palestinezët vuajnë që nga krijimi i Izraelit pas Luftës së Dytë Botërore.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, duke përdorur justifikimin se hebrenjtë kanë qenë viktimë dhe të abuzuar gjatë Holokaustit, ata kanë krijuar komb të pastrehë dhe kanë transferuar njerëz prej Evropës, SHBA-ve dhe vendeve të tjera në tokën e tyre dhe kanë krijuar qeveri raciste në territoret e okupuara palestineze”, ka thënë Ahmadinejad.

Këto deklarata të Ahmadinejadit kanë nxitur reagime të ndryshme dhe kanë bërë që rreth 40 diplomatë nga Britania, Franca dhe vendet tjera të BE-së të lëshojnë sallën, në shenjë proteste ndaj vërejtjeve të tij.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, është shprehur i zhgënjyer nga Ahmadinejad, duke thënë se “presidenti i Iranit e keqpërdori Konferencën kundër racizmit për ta sulmuar Izraelin”.

Ndërkaq, para fjalimit të Ahamadinejadit, ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Bernard Kouchner, kishte paralajmëruar se evropianët do ta braktisin konferencën po qe se presidenti iranian bën “akuza anti-semite” gjatë mbledhjes.

“Është për keqardhje që zoti Ahmadinejad është duke provuar ta mbajë peng këtë konferencë”, ka thënë ambasadorja franceze, Jean Baptiste Mattei. “Ne jemi të gatshëm për diskutime serioze, por kjo është përtej asaj se çka kemi mundur të presim”.

Bojkotojnë Konferencën
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00


Juliette De Rivero, drejtore e Human Rights Watch në Gjenevë, ka thënë se qeveritë e vendeve kanë të drejtë të reagojnë ndaj Ahmadinejadit, nëse ai ka bërë deklarata sulmuese dhe që janë në kundërshtim me frymën e kësaj konference.

Por, ajo ka shtuar se prezenca e tij nuk do të duhej të rrezikonte dhe t’i vinte në pikëpyetje muajt e negociatave dhe rezultatet e konferencës.

Amnesty International ka thënë se është “zhgënjyer” nga bojkoti dhe ka inkurajuar qeveritë të mos e “politizojnë” takimin.

Ndërkaq, SHBA-të, Gjermania, Holanda, Australia, Kanadaja, Izraeli, Zelanda e Re dhe Italia kishin bojkotuar që nga fillimi këtë konferencë, nga frika se vendet myslimane mund ta shfrytëzojnë atë për ta kritikuar Izraelin.

Ndërsa, kryeministri izraelit, Binyamin Netanyahu, ka dënuar ashpër prezencën e Ahamdinejadit në Konferencë dhe i ka vlerësuar lart vendet që kanë bojkotuar këtë ngjarje.

“Gjashtë milionë njerëz tanë janë vrarë në Holokaust. Jo të gjithë e kanë mësuar këtë leksion, fatkeqësisht”, ka thënë ai.

Sot, Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi racizmin ka miratuar deklaratën përfundimtare kundër racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës.

Deklarata nuk e përmend Izraelin, çfarë ka qenë një nga temat më kundërthënëse të kësaj konference.
XS
SM
MD
LG