Ndërlidhjet

A do të ndërrojë kahje kriza globale?


Kreu i Bankës Qendrore amerikane ishte i pari që foli për shenja pozitive në ekonominë amerikane. Pas tij, një mori lajmesh të mira erdhën dhe nga disa vende evropiane dhe aziatike. Pyetja shtrohet - a po merr kthesën e mbarë ekonomia botërore?

A po vjen pranvera pas një dimri të rëndë e të gjatë ekonomik? Duke u nisur nga deklaratat e kreut të Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke, dhe presidentit Barack Obama, ka shenja pozitive të rimëkëmbjes ekonomike.

"Ajo çfarë kemi filluar të shohim, janë disa shenja shprese për ekonominë", tha presidenti Obama.

Por, cilët janë këta tregues?
Numri i shtëpive të reja të ndërtuara në Shtetet e Bashkuara, në vend që të njohë rënie, ka mbetur i pandryshuar gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Disa tregues flasin se besimi i konsumatorëve ka njohur rritje.

Banka Qendrore raportoi se ka pasur zbutje të rënies në aktivitetin ekonomik. Për më tepër, disa banka si CitiGroup dhe Goldman Sachs kanë shënuar fitime në tremujorin e parë të këtij viti.

Dhe, duket se lajmet e mira nuk vijnë vetëm nga Shtetet e Bashkuara. Kina, Rusia, Britania, Gjermania e Italia gjithashtu kanë raportuar lajme të mira nga fronti ekonomik.

Me të drejtë, në këto kushte shtrohet pyetja: A ka marrë kthesë pozitive ekonomia globale?

Dawn Holland, nga Instituti Britanik i Kërkimeve Ekonomike, thotë:

"Është e vërtetë se nuk do ta shohim atë rënie që pamë në tremujorin e fundit të vitit 2008, ndaj po supozoj se më të keqen e kemi lënë pas. Por, ka fare pak tregues që të dëshmojnë për rritje pozitive në shumicën e ekonomive të mëdha për pjesën e mbetur të këtij viti. Është ende herët që të flasim për shpresë", thotë Holland.

Madje, ajo shton se ndoshta “duhet të presim edhe disa lajme negative nga fronti ekonomik”.

"Ne presim që papunësia të rritet në shumicën e vendeve, së paku deri në fund të këtij viti, e ndoshta deri në mesin e 2010-ës. Këta njerëz që do të humbin punën, nuk do të shohin shenja të mëkëmbjes ekonomike", thotë Holland për REL.

Një qasje e ngjashme vjen për ekonominë e Shteteve të Bashkuara dhe nga profesori i ekonomisë në Universitetin e Maryland, Peter Morici.

"Nuk jemi duke marrë vetëm lajme të këqija. Tani bashkë me lajmet e këqija po arrijnë dhe disa lajme pozitive. Kjo do të thotë se shkalla e rënies ekonomike është zvogëluar, por ne nuk kemi arritur fundin ende",
thotë Morici.

Me fjalë të tjera, nuk mund të themi se jemi në momentin e kthesës pozitive, por gjërat nuk po përkeqësohen me shpejtësinë e mëparshme.
XS
SM
MD
LG