Ndërlidhjet

Gjykatat në veri presin vendimin politik


Gjykata në Mitrovicë
Gjykata në Mitrovicë

Nuk ka ndryshuar asgjë sa i takon funksionalizimit të gjykatave në veri, thonë drejtues të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë. Zyrtarët qeveritarë nuk i mohojnë përpjekjet që po bëhen në drejtim të funksionalizimit të këtyre institucioneve.


Edhe pas katër muajve të funksionimit të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, në Kosovë, gjykatat në veri të Mitrovicës ende nuk janë funksionalizuar.

Përfaqësues të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë thonë se kjo çështje ka marrë konotacione politike. Kryetari i kësaj gjykate, Kapllan Baruti, mohon të ketë ndodhur ndonjë ndryshim i gjendjes në këto gjykata që nga 20 shkurti i 2008-ës, kur serbët lokalë, në shenjë revolte ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, patën uzurpuar këto institucione. Baruti thotë se Gjykata e Qarkut në Mitrovicë duhet funksionalizuar me vendim politik.
Funksionimi i gjykatave në veri të Kosovës për ne është një rrethanë jonormale, që është e pranishme prej vitit të kaluar... Për fat të keq, prej atëherë deri më tani, nuk kemi ndonjë risi në këtë aspekt.

“Funksionimi i gjykatave në veri të Kosovës për ne është një rrethanë jonormale, që është e pranishme prej vitit të kaluar, më datën 20 shkurt. Për fat të keq, prej atëherë deri më tani, nuk kemi ndonjë risi në këtë aspekt. Kjo çështje tash ka marrë konotacione politike. Për momentin, nuk kam informata se do të merret ndonjë vendim i natyrës së tillë. Duhet të zgjidhet nga ana e politikës, me vendime politike”, tha zoti Baruti.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, pohon se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me përfaqësuesit e EULEX-it, po bëjnë përpjekje maksimale në funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në veri të Mitrovicës.

“Ne kemi vendosur që tani të shkohet në implementimin e fazës së dytë, sepse faza e parë ka qenë që të fillojë punën EULEX-i me gjyqtarët dhe prokurorët e vet. Kurse, tani duhet të shkohet në përgatitje për fillimin e fazës së dytë, që nënkupton që në gjykatat e veriut dhe në prokurori të punojnë gjyqtarët dhe prokurorët vendorë. Do të jenë të ftuar të gjithë që të punojnë në ato gjykata. Nëse ndodh që ndokush nga ndonjë komunitet pakicë do të përmbahet dhe nuk do të fillojë punën, vendi i tij do të mbetet i zbrazët”,
tha zonja Kelmendi.

Aktualisht, në gjykatat në veri të Mitrovicës thuhet se janë të angazhuar rreth 7 pjesëtarë të EULEX-it, të cilët do të mund të përmbushin mandatin e tyre vetëm me kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendas. Por, sipas zotit Baruti, një gjë e tillë ende nuk po ndodh.

“Është e vërtetë se është proklamuar edhe nëpërmjet mjeteve të informimit, edhe në takimet e ndryshme që kemi pasur me subjektet e EULEX-it, edhe me subjektet tjera, por, për fat të keq, kjo nuk është duke përkuar me realitetin”, u shpreh Baruti.

Sipas zotit Baruti, një gjendje e tillë në sistemin e drejtësisë në Mitrovicë parqet vështirësi të mëdha, pasi, siç thotë ai, shumë lëndë janë duke u kryer në gjykatën e zhvendosur në Vushtrri.

“Jemi duke punuar vetëm lëndët emergjente, lëndët me paraburgim edhe lëndë të natyrave tjera që gëzojnë prioritete ligjore”,
tha Baruti.

Pas uzurpimit të gjykatave në veri nga protestuesit serbë, punonjësit kosovarë të këtyre institucioneve ishin detyruar të zhvendosen në objektin e Gjykatës Komunale në Vushtrri, duke shqyrtuar vetëm rastet urgjente.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG