Ndërlidhjet

Shqipëria dorëzoi aplikimin në BE


Pragë, 28 prill '09.
Pragë, 28 prill '09.

Kryeministri Sali Berisha ka dorëzuar në Pragë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kërkesa është pranuar nga kryeministri i Republikës Çeke, Mirek Topolanek.


"Të mbështetur në Traktatin e Bashkimit Evropian dhe në dëshirën dhe aspiratën e shqiptarëve, ne kemi kënaqësinë të hedhim këtë hap. Shprehim dhe afirmojmë konsideratat tona më të larta", u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke i dorëzuar kërkesën për aplikim homologut çek, Mirek Topolanek, vendi i të cilit është kryesues i radhës i BE-së.

Duke e cilësuar këtë si një moment historik, kryeministri Berisha, në konferencën e përbashkët për shtyp, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është "projekti më i shkëlqyer për të ardhmen e popullit shqiptar dhe vendit të tij", për të shtuar:

"Ky akt shënon dhe ka një domethënie të madhe historike, meqë nënkupton rikthimin e vendit tim në familjen e kombeve evropiane", tha zoti Berisha, duke rikujtuar historinë e ngjashme që Shqipëria ka pasur me Republikën Çeke.

Kryeministri Berisha, në vazhdim, ka folur për të arriturat e Shqipërisë.

"Shqipëria sot dëshmon se është demokraci funksionale, që ka konsoliduar ekonominë e tregut dhe që tërheq investime të jashtme", ka thënë zoti Berisha, për të konkluduar se aplikimi për të marrë statusin e kandidatit, njëkohësisht paraqet edhe obligim.

"Shqipëria këtë çast e konsideron edhe si një obligim dhe motivim të madh, si një moment të madh për të punuar në këtë projekt historik", ka konkluduar kryeministri Berisha.

Nga ana e tij, kryeministri çek, Mirek Topolanek, ka rikujtuar se "procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka kriteret dhe kushtet e veta specifike", por, njëkohësisht, ka apostrofuar të arriturat e deritashme të Shqipërisë.

"Shqipëria ka kaluar nëpër ndryshime të jashtëzakonshme pozitive dhe jam i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën udhëheqjen e Sali Berishës", ka thënë kryeministri çek, Mirek Topolanek, duke rikujtuar me këtë rast edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ai, në vazhdim, ka nënvizuar mbështetjen e Çekisë për Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

"Sot, Shqipëria fillon një proces që shpresojmë se do të kurorëzohet me sukses, për ta bërë realitet ëndrrën e shumë brezave që jetuan nën regjimin totalitar. Republika Çeke do t'i qëndrojë pranë Shqipërisë edhe pas përfundimit të kryesimit të Bashkimit Evropian", ka konstatuar Topolanek.

Ndërkaq, drejtori për zgjerim në Bashkimin Evropian, Michael Leigh, ka nënvizuar përkushtimin e Shqipërisë karshi vlerave evropiane. Ai ka thënë se "tash i takon BE-së të vazhdojë tutje, Komisionit Evropian të japë mendimin e vet dhe të vazhdojnë procedurat tjera".

Për vetë Shqipërinë, zoti Leigh ka thënë se një nga kushtet themelore për anëtarësim është sundimi i ligjit dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
XS
SM
MD
LG