Ndërlidhjet

Gripi i derrave alarmon botën


Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është afër shpalljes së fazës 5 të alarmit për pandemi nga gripi i derrave. Niveli mund të rritet nëse konfirmohet se personat e infektuar në të paktën dy vende e përhapin sëmundjen te njerëzit tjerë. Sot në SHBA u regjistrua viktima e parë.

SHBA-të kanë konfirmuar rastin e parë të vdekjes nga gripi i derrave jashtë territorit të Meksikës. Dr. Richard Besser, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se një fëmijë 23 muajsh ka vdekur në Teksas.

Shtetet e Bashkuara janë një nga tetë vendet e botës, ku janë konfirmuar raste të gripit të derrave.

Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Shvarceneger ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë shtet, ku deri tash janë konstatuar 13 raste të infektimit, ndërsa presidenti Barack Obama, i kërkoi Kongresit edhe 1.5 miliardë dollarë për të luftuar gripin e derrave.

"Çdo amerikan duhet ta dijë se qeveria federale është e përgatitur të bëjë gjithçka që nevojitet për ta kontrolluar ndikimin nga ky virus. Por, ka edhe hapa tjerë që amerikanët mund t'i bëjnë vetë. Këto janë hapat si për çdo grip tjetër: lani duart, mbuloni gojën kur kolliteni, qëndroni në shtëpi kur jeni sëmurë dhe mos i dërgoni fëmijët e sëmurë në shkollë", tha Obama.

Meksika, vendi ku sëmundja u detektua për të parën herë, mbetet më e goditur me 7 vdekje të konfirmuara dhe 159 vdekje të dyshuara nga virusi vdekjeprurës.

Sot, kryeministri britanik, Gordon Brown, deklaroi se në Britani janë konfirmuar tre raste të infektimit me virusin e gripit të derrave. Brown tha se ata po trajtohen me ilaçe antivirale dhe po reagojnë mirë ndaj terapisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje shteteve që të përgatisin plane për t'u përballur me pandemi të mundshme, por ka thënë se pandemia nuk është domosdoshmërisht e pashmangshme.

Udhëtarët nën mbikëqyrjen e kamerave termale...

Ministria e Jashtme e Sllovenisë u ka rekomanduar shtetasve të vet të mos udhëtojnë në Meksikë, ndërsa qytetarëve që të shmangin takimet në grup.

Por, çfarë është gripi i derrave? Si infektohen njerëzit dhe si mund të mbrohen nga infektimi?



Mikrobiologu Hugh Pannington, nga Universiteti Aberdeen në Britaninë e Madhe, thotë se virusi quhet virus i derrave, sepse përbëhet nga komponentë të gripit të derrave që vjen nga Amerika, nga komponentë të gripit të derrave nga Evropa dhe Azia, si dhe komponentë të gripit të shpezëve dhe gripit të njerëzve. Pra, është përzierje e viruseve të ndryshme, një nga derrat, një nga shpezët dhe një nga njeriu.

Pannington thotë se simptomet e sëmundjes janë rritja e temperaturës, kollitja, rrjedhja e hundëve, kurse në disa raste edhe diarea dhe vjellja. Ai thotë se këto janë simptome të gripit të zakonshëm.

Z. Pannington thotë se virusi është shumë i ndjeshëm ndaj Tamiflu dhe barërave tjera antivirale, të cilat merren me inhalim. Kjo e pengon rritjen e virusit, por ai shton se Tamiflu nuk i ndalon simptomet menjëherë, por vetëm i zbut ato, ndërsa sëmundja zgjat më pak.

Vaksina e re ende nuk është zhvilluar, megjithëse punët kanë filluar. Pannington rekomandon larje të duarve, pohon dhe higjienë më të madhe personale, si dhe të ndiqen rekomandimet e zyrtarëve të shëndetësisë.
XS
SM
MD
LG