Ndërlidhjet

DASH: Kufijtë e brishtë pengojnë përpjekjet kundër terrorizmit


Logo e Departamentit të Shtetit
Logo e Departamentit të Shtetit

“Kufijtë e brishtë, që janë lehtë të kalueshëm nga individët që trafikojnë njerëz, armatim dhe narkotikë, kanë penguar përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën globale kundër terrorizmit.


Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u kanë vazhduar t’i monitorojnë aktivitetet e dyshuara terroriste gjatë tërë vitit, thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për luftën globale kundër terrorizmit për vitin 2008.

Në pjesën për Kosovën, në raport thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme dyshon se disa nga më shumë 1,000 organizata joqeveritare që veprojnë në Kosovë, janë përfshirë në aktivitete të dyshimta dhe përpjekjet synojnë që të parandalojnë ekstremistët të shfrytëzojnë OJQ-të si baza të tyre.

“Disa OJQ kanë shfrytëzuar hapësirat publike për tubime fetare, por autoritetet në Kosovë dhe komunat kanë bërë përpjekje të parandalojnë përdorimin e këtyre hapësirave për ngjarjet që nuk e kishin bekimin e komuniteteve përkatëse fetare”, thuhet në raport.

“Policia e Kosovës dhe njësia e UNMIK-ut kundër terrorizmit ishin kryesisht përgjegjëse për përpjekjet kundër terrorizmit, por ishin të vogla në numër dhe me mungesë mjetesh”.

Raporti gjithashtu vë në pah faktin se kufijtë e brishtë, që janë lehtësisht të kalueshëm nga individët që trafikojnë njerëz, armatim dhe narkotikë, kanë penguar përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit.

“Trafikuesit kanë shfrytëzuar disa rrugë anësore që çojnë drejt Kosovës, e të cilave u mungonte kontrolli kufitar. Zyrtarët kufitarë dhe të doganave, të paguar dobët, dyshohen për korrupsion. Mungesa e kontrollit të plotë doganor në dy vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi ka penguar edhe më shumë përpjekjet kundër terrorizmit”, thuhet në raport, në të cilin gjithashtu rikujtohet djegia e këtyre vendkalimeve nga ekstremistët serbë.

Si akt i dyshuar për terrorizëm, në raport përmendet sulmi i 14 nëntorit mbi Zyrën Civile Ndërkombëtare në Prishtinë. Gjithashtu, përmendet edhe Armata Kombëtare Shqiptare, e cila nga UNMIK-u më 2003 është shpallur organizatë terroriste dhe për të cilën në raport thuhet se ka vazhduar t’i keqtrajtojë qytetarët e Kosovës.

* * * * * * * * * *

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, por edhe të opozitës pajtohen me gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi terrorizmin, se Kosova ende ka probleme të natyrave të ndryshme, që pamundësojnë një luftë efikase kundër terrorizmit.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa, mendon se moskonsolidimi i demokracisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, ka bërë që rajoni të jetë një vatër ku organizata të ndryshme terroriste mund të krijojnë celulat e tyre.

“Faktikisht, është potencial i mirë vendi dhe rajoni ynë, që organizatat terroriste të vendosen në vend. Dhe, demokracia është në konsolidim. Ne ende nuk jemi të konsoliduar mirë si shoqëri veç e veç në Ballkan. Është mundësi e hapur, mundësi e mirë, ku mund të zhvillohet krimi dhe terrorizmi. Pra, këto OJQ mund të gjejnë njerëz për të krijuar celulë për veprimtarinë e tyre”, tha Mustafa.

Mustafa nuk saktëson nëse në Kosovë është identifikuar ndonjë celulë e tillë.

Kohë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës pati alarmuar se prania e organizatave të ndryshme joqeveritare, po rrezikon sigurinë. Burim Ramadani, ish-këshilltar në këtë ministri, tani sekretar organizativ në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se edhe më tej ka rrezik nga fushë-veprimtaria e këtyre organizatave.

“Mundësia e shfrytëzimit të Kosovës për aktivitete të ndryshme terroriste, është e madhe, sepse nuk ka kontroll të kufijve, kontroll të prejardhjes së pasurisë, s’ka kontroll të prejardhjes së financave të OJQ-ve të jashtme, kryesisht të vendeve të Lindjes, por edhe të brendshme, të ashtuquajtura humanitare”, thotë Ramadani.

Burim Ramadani thotë se një projekt që ka pasur për qëllim luftimin e ekstremizmit fetar, qe propozuar shumë kohë më parë, por ende nuk është jetësuar. Ndërkohë, mungesa e kontrollit të kufijve, sipas Ramadanit, është një problem shumë i madh.

“Kjo është çështje serioze edhe sa i përket terrorizmit, krimit të organizuar dhe kontrabandës, trafikimit me njerëz. Kjo është çështje serioze dhe Qeveria duhet të marrë masa të shpejta dhe të fuqishme për të siguruar kufijtë e Kosovës”, tha Ramadani.

Në anën tjetër, Rrustem Mustafa është optimist se gjërat po shkojnë në drejtim të duhur.

“Në këtë kohë, tash 10 vjet, kufijtë janë të brishtë, është liri e pakontrolluar dhe po besoj se ngadalë institucionet po e marrin veten”, tha Mustafa.
XS
SM
MD
LG