Ndërlidhjet

Si do shpërndahen barnat kundër gripit?


Pamje në Meksikë - vendi ku u paraqiten rastet e para të të infektuarve me virusin H1N1...
Pamje në Meksikë - vendi ku u paraqiten rastet e para të të infektuarve me virusin H1N1...

Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë thonë se nuk janë bërë plane rreth distribuimit të medikamenteve të porositura për parandalimin e përhapjes së virusit “Influenza A” në Kosovë. Ekspertët, ndërkaq, nuk përjashtojnë mundësinë se në rast të një shpërthimi eventual të këtij virusi në vend, të ketë keqpërdorime në shpërndarjen e barnave.


Qeveria e Kosovës nuk ka bërë plane konkrete për shpërndarjen e medikamenteve të porositura, me qëllim të parandalimit të përhapjes eventuale të virusit të ashtuquajtur “Influenza A”, ngase aktualisht nuk është paraqitur asnjë rast i infektimit me këtë virus në Kosovë.

Kështu thonë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, të cilët zotohen t’i kenë bërë përgatitjet e nevojshme për të parandaluar përhapjen e këtij virusi në vend.

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Haxhi Kamberi, pret që kontingjenti i preparateve të porositura, e që përbëhet nga anti-virali Tamiflu, antibiotikë, antipiretikë dhe mjete sanitare, të arrijë në Kosovë në fillim të javës së ardhshme, për t’u vendosur pastaj në depot e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Tash për tash nuk mund të flasim për mënyrën e distribuimit. Fillimisht ato barëra do të vendosen në depot tona qendrore, pastaj, varësisht nga nevoja, ne do t’i dedikojmë nga qytetarët e Kosovës”, tha Kamberi.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri më tani në mbarë botën janë paraqitur rreth 615 raste të infektimit me virusin “Influenza A” - raste këto të zbuluara në disa vende të Bashkimit Evropian, Kanada, Zelandë të Re, Kinë, Korenë Jugore dhe të tjera.

Ndonëse në Kosovë nuk është paraqitur asnjë rast i infektimit me virusin H1N1, infektologu Ilir Tolaj sugjeron që barërat të aplikohen te personat tek të cilët janë konfirmuar shenjat e para të infektimit. Ai thotë se distribuimi eventual do të duhej të bëhej nga niveli sekondar dhe ai terciar i shëndetësisë.

“Çështja e distribuimit do të varet nga ajo se a do ta kemi rastin e parë të konfirmuar në Kosovë të “Influenza A” apo jo. E dyta, këto barëra do të duhej të aplikoheshin te personat, të cilët kanë simptomatologji të konfirmuar të gripit dhe që kanë mundur të bien në kontakt me një rast paraprakisht të konfirmuar me këtë grip”, u shpreh Tolaj.

Mirëpo, Tolaj nuk përjashton mundësinë e keqpërdorimit të medikamenteve të porositura nga ekzekutivi kosovar, me qëllim të parandalimit të virusit “Influenza A”. Kjo gjë, siç thekson ai, do të bëhej problematike në rast të paraqitjes dhe konfirmimit zyrtar të personave të infektuar me këtë virus në Kosovë.

“Segmenti i barërave ka qenë gjithmonë i nënshtruar ndaj mundësisë për keqpërdorime të ndryshme, prandaj nuk përjashtoj mundësinë që të ketë keqpërdorime dhe tash. Situata do të bëhet më e ndërlikuar dhe mund të dalë jashtë kontrollit në rast se ne kemi rastin e parë, ngase atëherë do të fillojnë veprimet nga më të ndryshmet, të shtyra edhe nga paniku, por edhe nga motivet për përfitime të jashtëzakonshme me këtë fatkeqësi, me të cilën po ballafaqohet njerëzimi”, theksoi ai.

Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë, nuk ka mundur të japë një vlerësim konkret se sa do të jetë sasia e medikamenteve të porositura, ngase kjo gjë, siç pohuan zyrtarët, do të varet nga çmimi aktual në treg i barërave siç janë Tamiflu dhe të tjera.

Sipas ekspertëve, virusi “Influenza A” është shumë i ndjeshëm ndaj Tamiflusë dhe barërave tjera anti-virale, të cilat merren me inhalim. Përdorimi i tyre, siç thonë ata, pengon rritjen e virusit, nuk i ndalon simptomat menjëherë, por vetëm i zbut ato.
XS
SM
MD
LG