Ndërlidhjet

Pa mjete për luftimin e krimit të organizuar


Krimi i organizuar në Kosovë, sipas ekspertëve për çështje të sigurisë, ka filluar të marrë përmasa të mëdha dhe mjaft shqetësuese. Ata vlerësojnë se institucionet dhe mekanizmat për luftimin e kësaj dukurie në Kosovë, nuk janë të mjaftueshëm.

Eksperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se në Kosovë nuk ka forcë, mjete dhe metoda që të bëhet parandalimi i krimit të organizuar. Sipas tij, mungesa e mekanizmave adekuatë për luftimin e kësaj dukurie, “mund të shkatërrojnë shtetin e sapoformuar të Kosovës”.

“Krimi i organizuar, korrupsioni dhe çështjet tjera negative nuk mund të luftohen vetëm me një agjenci, siç është ajo anti-korrupsion, por luftohet me të gjitha mjetet në dispozicion, duke filluar nga Qeveria e deri tek ministritë. Të gjithë duhet ta kryejnë punën e vet. Sikur të ishte kjo ashtu, me siguri se do të ndërpritej zinxhiri i dukurive negative, mirëpo kjo nuk po ndodh”, thotë zoti Qehaja.

Sidoqoftë, dukuria e krimit të organizuar në Kosovë vlerësohet të jetë njëra prej sfidave më të mëdha për institucionet vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në vend. Për shkak të mungesave në rrafshe të shumta, lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni vazhdon të jetë e kufizuar.

Qeveria e Kosovës, sipas ekspertit për çështje të sigurisë, zotit Qehaja, duhet të fillojë ta luftojë këtë dukuri. Fillimisht, ai sugjeron autoritetet vendore që të ndërmarrin masa që institucionet e sigurisë t’i vënë në vend të vet.


“Qeveria, me një përshpejtim shumë të madh, duhet t’u qaset detyrave që kanë të bëjnë me sigurinë, me krim të organizuar, me korrupsion... Duhet të ndërmarrë masa konkrete, jo deklarativisht”,
thotë ai, duke shtuar se formësimi i Forcës së Sigurisë është shumë me rëndësi.


Krimi i organizuar dhe veprat penale vazhdojnë të mbesin sfidat kryesore të Policisë së Kosovës. Zëdhënësi i Policisë, Arbër Beka, thotë se janë dukë luftuar këtë dukuri, porse, shton ai, ende nuk ka infrastrukturë të mjaftueshme ligjore.

Zoti Beka thotë se një bashkëpunim më i mirë me policinë e vendeve të rajonit, do të ndihmojë luftën kundër krimit të organizuar në Kosovë.

“Ekziston një bazë e infrastrukturës ligjore, mirëpo që duhet të plotësohet akoma nga legjislativi i vendit. Në këtë aspekt nevojitet që të miratohet ligji për konfiskimin e aseteve, ligji për deklarimin e pasurisë dhe ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve”, pohon zoti Beka.

Polica e Kosovës, në kuadër të njësiteve dhe sektorëve të saj, ka Departamentin e Krimit të Organizuar, i cili, deri vonë, ka funksionuar nën ombrellën e UNMIK-ut; tani, sipas zëdhënësit të Policisë, zyrtarët e EULEX-it janë ata që asistojnë Policinë e Kosovës.

Siç thotë zoti Beka, deri tani, në bashkëpunim me EULEX-in, janë zhvilluar shumë operacione të suksesshme.


“Polica e Kosovës është në posedim të disa mjeteve sa i përket luftimit të kësaj dukurie. Ekzistojnë disa njësite dhe burime njerëzore. Ne jemi duke punuar në atë drejtim, sidomos në ngritjen e kapaciteteve të hetuesve, në trajnime të hetuesve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit”,
tha Beka.


Megjithatë, ai konsideron se një luftë kundër këtij fenomeni do të ishte më e efektshme sikur Kosova të jetë pjesë e organizmave ndërkombëtarë policorë, siç është Europoli dhe Interpoli

Institucionet e Kosovës, ndërkaq, po përgatiten që të aplikojnë për t’u anëtarësuar në organizatën policore evropiane, Europol, dhe atë ndërkombëtare, Interpol.

Por, njohja nga vetëm 58 shtete thuhet se vështirëson gjasat për anëtarësim. Megjithatë, i vetmi mekanizëm që mund të bashkëpunojë me Interpolin, aktualisht është UNMIK-u.
XS
SM
MD
LG