Ndërlidhjet

Festivali i Luleve me arrestime


Azerbajxhan, 10 maj '09.
Azerbajxhan, 10 maj '09.
Më se 50 veta, kryesisht të rinj, qenë arrestuar për disa orë në Baku, gjatë Festivalit vjetor të Luleve. Festivali zyrtar shënon përvjetorin e 86-të të lindjes së presidentit të ndjerë të shtetit, Heyder Alivev, me kremte, lule e fishekzjarre. Por, të rinjtë kishin filluar të protestonin kundër kremtes, duke e konsideruar atë si të pavend karshi sulmit të 30 prillit në Akademinë e Shtetit në Baku, i cili la të vdekur 13 veta.

Të rinjtë, anëtarë të grupeve të ndryshme të të rinjve dhe studentëve, kanë kërkuar që të mbahet një ditë zie kombëtare për nder të studentëve dhe mësimdhënësve, të cilët qenë vrarë gjatë sulmit nga një azerbajxhanas.

Nga shërbimi i Azerbajxhanit i Radios Evropa e Lirë është raportuar se protesta paqësore ishte organizuar përmes Facebook-ut dhe rrjeteve të tjera shoqërore.

Disa nga protestuesit kishin vendosur shirita të zinj, disa fishkëllenin, ndërsa të tjerë mbanin fotografitë e atyre që qenë vrarë më 30 prill.

“Ne ishim mbledhur para parkut kryesor ku po mbahej kremtja kryesore dhe ne vetëm mbanim nga dy lule në duar”, tha Emil Milli, një nga themeluesit e rrjetit shoqëror AN, që organizon forume dhe diskutime të ndryshme.

“Në Azerbajxhan është traditë të sjellësh dy lule për të vdekurit kur shkon tek varri i tyre. Ne kemi qëndruar shumë qetë, pa thënë asgjë, nuk kemi thirrur parulla, ne kemi mbajtur zi, të heshtur”, tha ai.

Gjatë protestës së tyre, Milli dhe rreth 50 të tjerë qenë arrestuar nga policia, e cila raportohet të ketë përdorur forcë. Të gjithë u liruan pasi që kishin kaluar disa orë nën arrest.

Milli, i cili ka folur për Radion Evropa e Lirë përderisa po mbahej në stacionin policor në Baku, tha se zyrtarët e policisë nuk i kishin treguar as atij, as të tjerëve, se pse ishin arrestuar.

Milli tha se ai dhe shumë azerbajxhanas të tjerë mendojnë se kremtimet që vijnë pas sulmeve që rezultuan me vdekje, këtë vit janë krejtësisht pa vend.

“Të dhemb ndjenja e shumë njerëzve këtu, sepse shumë njerëz mendojnë se nuk është me vend të deklarohet madje një ditë zie. Është shumë fyese”,
tha Milli.

Një grup i të rinjve azerbajxhanas kishin kërkuar ditë zie kombëtare menjëherë pas sulmit, duke mbajtur një protestë të vogël para Akademisë së Shtetit më 1 maj.

Ndërkaq, më 10 maj, mes të tjerëve, ishin arrestuar edhe dy anëtarë të Institutit Kombëtar Demokratik në Azerbajxhan, përfshirë dhe drejtorin e këtij instituiti, Arien de Wolff. Ata po ashtu ishin liruar më vonë.

Policia kishte konfirmuar arrestimin e 30 aktivistëve. Një zyrtar i policisë ka thënë se disa të rinj ishin arrestuar sepse ata nuk kishin pasur identifikimin e duhur.

Ministri i Rinisë dhe Sporteve i Azerbajxhanit, Azad Rahimov, ka shprehur përkrahje për aksionet e policisë dhe u ka thënë gazetarëve se “ishte thënë se nuk do të duhej të mbahej asnjë tubim”.

Terry Davidson, zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Baku, ka shprehur shqetësimin në lidhje me “besueshmërinë e njoftimeve të dëshmitarëve okularë” që disa nga të rinjtë qenë lënduar gjatë intervenimit të policisë.

Duke u nisur nga liria e mbledhjeve dhe liria e fjalimeve si veçori të shoqërive demokratike, Davidson ka cituar presidentin e ndjerë, Heydar Aliyev, të ketë thënë “Çdonjëri duhet të jetë i aftë t’i respektojë idetë e të tjerëve dhe përfitimet nga to”.

Arrests At Baku's Flower Festival
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00
XS
SM
MD
LG