Ndërlidhjet

Privatizimi në enklava ngec


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në zonat e banuara me serbë çdoherë ka qenë një problem. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shpallur privatizimin e ndërmarrjeve në këto enklava, mirëpo tenderët kanë dështuar, për shkak të mosinteresimit të blerësve, përveç në një apo dy raste.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë se privatizimi i ndërmarrjeve në enklavat serbe ka ngecur. Arsyet e kësaj ngecjeje, sipas tij, vazhdojnë të jenë problemet politike.

“Privatizimi nuk ka ndodhur në zonat që banohen nga pakicat serbe për shkak se këtij procesi i është dhënë një konotacion politik që në kohën e vendosjes së Misionit të Përkohshëm Administrativ - UNMIK, e tutje”.

“Mendoj se tani është koha e fundit që ky konotacion politik t’i hiqet këtij procesi, duke pasur parasysh që shumë prej këtyre të ashtuquajturave enklava e kanë pranuar realitetin e ri, kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhjet që mbahen në Kosovë dhe kanë filluar të luajnë me rregullat e lojës që iu nënshtrohen edhe komunat tjera”,
thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thonë se privatizimi është duke u bërë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe enklavat serbe.

Arta Gosalci, zyrtare për informim, thotë se kjo agjenci nuk e bën privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në bazë të ndarjeve të territoreve. Sipas saj, privatizimi në zonat e banuara me shumicë serbe nuk ka hasur në ndonjë vështirësi.

“Nuk kemi hasur në probleme. Ka pasur privatizim në enklava, edhe pse nuk bëjmë ndarje të tillë. Ka pasur privatizim në ndërmarrjet që kanë qenë në Brezovicë dhe në vendet tjera”, shprehet Gosalci.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dështuar tri herë radhazi në privatizimin e kompleksit turistik “Brezovica”, i cili gjendet në Komunën e Shtërpcës, zonë kjo e banuar me shumicë serbe.

Privatizimi i “Brezovicës” ishte menduar të bëhet në vitin 2006, por në atë kohë ishte pezulluar për shkak se, siç ishte thënë, ky kompleks gjendet në një rajon të banuar me shumicë serbe.

Lidhur me privatizimin e kompleksit turistik “Brezovica”, Arta Gosalci thotë:

“Master-plani për ‘Brezovicën’ ka përfunduar. AKP-ja dhe ICO-ja me komunën janë në përgatitje të konferencës për investitorë, ku, përveç nxitjes së investitorëve, do të merren edhe me pikëpamjet e tyre”.

“Organizimi i konferencës kërkon një periudhë kohore më të gjatë, për njoftim të mjaftueshëm të të gjithë investitorëve”,
thotë Gosalci.

Ndërkaq, Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë se autoritetet kosovare duhet të marrin hapa konkretë lidhur me mundësinë e privatizimit të ndërmarrjeve nëpër enklavat serbe dhe në tërë territorin e Kosovës.

“Rruga e privatizimit është rruga e vetme e zhvillimit ekonomik, sepse kjo mundëson futjen e kapitalit të ri dhe gjithashtu sjelljen e njohurive të reja nga investitorët e ndryshëm”, deklaron Zeka.

Deri tani, në tërë territorin e Kosovës, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë privatizimin e 636 ndërmarrjeve të reja, prej të cilave 611 janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it të rregullt, ndërsa 25 prej tyre janë privatizuar përmes metodës së Spin Off-it Special.
XS
SM
MD
LG