Ndërlidhjet

SHIK-u sërish nxit debat


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Debati për Shërbimin Informativ të Kosovës po thellohet, ndërsa Policia e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, se ky institucion përmes njerëzve të SHIK-ut është duke bërë shantazhe politike. Ndërkohë, nisma për komisionin hetimor ndaj SHIK-ut ende nuk është jetësuar, meqë AAK-ja nuk ka mbledhur nënshkrimet e duhura.


Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, si dhe Policia e Kosovës, kanë reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, i cili një ditë më parë tha se Shërbimi Informativ i Kosovës po e ngufat shtetin.

Ai aludoi në disa hetime që po i kryen Policia e Kosovës në komunë, duke thënë se Policia e Kosovës, përmes njerëzve të SHIK-ut është duke bërë shantazhe politike duke dërguar në vazhdimësi forca policore për hetime brenda komunës së Prishtinës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se, në vend se të akuzohet, Policia duhet të ndihmohet.

“Ne jemi për rend dhe ligj. Të gjithë ne jemi që rendi dhe ligji të jetë ndaj kujtdo dhe në cilindo rast. Dhe, të gjithë ne jemi që të bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë dhe hetuesisë dhe t’u ndihmojmë atyre dhe jo t’i akuzojmë. Neve do të na interesojë e vërteta dhe e drejta, edhe përballë të tjerëve, por edhe përballë nesh”
, ka deklaruar Kuçi.

Një ditë më parë, Mustafa shfaqi shqetësimin e tij lidhur me disa hetime që janë duke u zhvilluar ndaj zyrtarëve të komunës nga Departamenti i Policisë për Krime Ekonomike, metodat e së cilës, i krahasoi me ato të UDB-së.

Mustafa tha se “njerëzit e SHIK-ut janë transferuar brenda institucioneve të Kosovës dhe në këtë mënyrë po e marrin rolin e ngufatjes së shtetit përmes krijimit të një shteti policor”.

Por, Policia, përmes zëdhënësit Baki Kelani, ka reaguar duke kërkuar që të mos i preket paanshmëria e saj.
Policia e Kosovës

“Policia e Kosovës shpreh keqardhje dhe reagon ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, zotit Isa Mustafa, i cili ngre akuza kundër punës profesionale të Policisë së Kosovës”.

“Tërheqja e paraleleve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe strukturave të UDB-së, të cilat kanë ushtruar dhunë dhe gjenocid në Kosovë dëmton rëndë imazhin e Policisë së Kosovës dhe atakon paanshmërinë dhe neutralitetin politik që ka Policia e Kosovës
”, ka thënë Kelani.

Nuk është hera e parë që në Kosovë shpërthen debati për shërbimet informative, ndërkohë që partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën se përmes shërbimeve të tilla janë përfshirë në veprime kriminale.

Tashmë disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë pranuar haptas se kanë qenë anëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës, që është parë si organizatë e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, nisma e deputetit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, për të themeluar një komision hetues ndaj SHIK-ut ende nuk është jetësuar. Ai ka sqaruar vetë arsyet:

“Deri më tash ka vetëm përkrahje verbale, sidomos nga PDK-ja, e cila po bën marketing politik, po u ik nënshkrimeve, nuk ka përgjigje zyrtare me kërkesën time zyrtare. Kjo tregon qartë se nuk ka vullnet për të hapur hetimin rreth së kaluarës rreth SHIK-ut”.

“Unë jam në pritje, normalisht pritjet nuk do të zgjasin shumë. Unë pres që të ketë konsensus për fillimin e hetimit të SHIK-ut. Nëse nuk ka konsensus tash, besoj se kjo edhe një herë dëshmon se politika e vjetër në Kosovë, është kundër nismave të reja dhe kundër hetimit të asaj që ka ndodhur dhe që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje
”.

Deri më tash, nismën, sipas Ramadanit, e ka mbështetur edhe zyrtarisht Lëvizja Vetëvendosje. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kreu i së cilës, akuzoi SHIK-un se po e ngufat shtetin.

Pas nismës së AAK-së, edhe Partia Demokratike e Kosovës ia ka nisur një kërkesë Kuvendit që të distancohet nga të gjitha krimet e kryera pas luftës. Por, një kërkesë e tillë nuk është miratuar nga Kryesia e Kuvendit dhe i është kthyer PDK-së për sqarime shtesë.

Ndryshe, deputetët kanë thënë se po qe se hetohet SHIK-u, do të hapet rrugë edhe për hetimin e shërbimeve të subjekteve tjera politike, që thuhet se kanë ekzistuar.

Mirëpo, deri më tash, më së shumti është përfolur për SHIK-un, anëtarë të të cilit, tash thonë se për funksionimin e tij, kanë qenë në dijeni edhe subjektet ndërkombëtare në Kosovë.

SHIK-u kishte shpallur përfundimin e aktiviteteve të veta në qershor të vitit 2008, nga shefi i këtij shërbimi, Kadri Veseli.

Shuarja zyrtare e SHIK-ut ishte parë edhe nga ndërkombëtarët si një kusht i domosdoshëm për t’i lëshuar vendin strukturës së re të inteligjencës së Kosovës në ngritje e sipër, të quajtur Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
XS
SM
MD
LG