Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, konsideron se procesi i decentralizimit është një mundësi e mirë që serbët të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj institucioneve të Kosovës.
“Në realitet, një prej objektivave të ndarjes së pushtetit, të fuqizimit të pushtetit lokal, është edhe mundësia që të gjithë qytetarët, pra edhe qytetarët e komunitetit serb, duke i marrë ato të drejta, që u siguron Kushtetuta dhe ligjet, në një farë forme të bëhen pjesë e shoqërisë, të integrohen në shoqëri dhe të ndikojnë drejtpërsëdrejti në kualitetin e jetës së tyre. Ajo është mundësia për integrim”, tha ministri Ferati.
Më shumë se një vit që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, integrimi i pakicës serbe mbetet sfidë kryesore, është thënë, ndër të tjera, në raportin e fundit të publikuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. Por, ministri Ferati thotë se Beogradi është ai që po vështirëson procesin e decentralizimit dhe bashkëpunimin e serbëve me kosovarët.
“Unë besoj që ata janë të interesuar që të integrohen dhe të jetojnë më mirë, por disa arsye të paragjykimeve, të ndikimit të politikave ekstreme, ndikimi i Beogradit dhe ndikimi i aspektit të sigurisë dhe frikësimit e presioneve - bëjnë që rezultatet të jenë të vogla”, tha Ferati.
Nga ana tjetër, eksperti për decentralizim, Arben Gashi, konsideron se vetë Qeveria e Kosovës nuk ka një gatishmëri të duhur për integrimin e serbëve.
“Institucionet e Kosovës janë të paafta politikisht për të vepruar dhe janë të paafta profesionalisht, të paafta për të krijuar një strategji, e cila do të duhej të implementohet për të shtrirë autoritetin e institucioneve në territorin e Kosovës dhe për të pasur një qasje pozitive të popullatës lokale”.
“Qytetarëve të Kosovës duhet t’u thuhet se institucionet e Kosovës kanë vendosur që të krijohen 5 komuna dhe një komunë të zgjerohet në territorin e Kosovës. Ky vendim do të duhej të fillojë të zbatohet nga kjo kohë. Pastaj, kur shihet vullneti dhe vendosmëria e institucioneve, atëherë sigurisht që do të kemi edhe një qasje tjetër nga popullata lokale”, deklaroi Gashi.
Zoti Gashi thotë se Qeveria e Kosovës duhet sa më parë të ndërmarrë hapa për shtrirjen e autoritetit dhe, siç thotë ai, t’u bëhet e qartë të gjithë qytetarëve se çka mund të përfitojnë ata nga decentralizimi dhe integrimi.
“Duke shtrirë autoritetin në tërë territorin e Kosovës, edhe pakica serbe, e cila jeton në këto territore, patjetër që do të fillojë, me kalimin e kohës, të jetë më pro aktive dhe të ketë një qasje më pozitive ndaj institucioneve të Kosovës. Nëse institucionet e Kosovës presin apriori që të kenë një aprovim të politikës nga Serbia për këto institucione për të shtrirë autoritetin e vet në territorin e Kosovës, kjo nuk do të ndodhë kurrë”, theksoi Gashi.
Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë janë duke bërë përpjekje për integrimin e serbëve nëpërmjet procesit të decentralizimit, si mënyrën më të mirë për t’i angazhuar serbët në institucionet e shtetit të ri dhe për t’i bindur ata se kanë të ardhme në to, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.