Ndërlidhjet

FMN i siguron Kosovës anëtarësim të mëtejmë


Selia e FMN-së
Selia e FMN-së

Anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar, i siguron Kosovës, përveç tjerash, dhe vizën për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare. Kështu kanë pohuar vetë zyrtarët e këtij institucioni financiar.

Konsultimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar e rrisin besimin e investitorëve dhe të komunitetit ndërkombëtar, që Kosova është një vendi i mirë për të investuar dhe, njëkohësisht, krahas benefiteve, anëtarësimi në FMN sjell edhe obligime për Kosovën. Kështu ka vlerësuar drejtori ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Age Baker.

Duke e konsideruar anëtarësimin e Kosovës në FMN si një proces pozitiv, zoti Baker tha se ekonomia e Kosovës ka pasur trende pozitive, por që ka edhe sfida të shumta që ajo do të duhet t’i tejkalojë dhe në këtë drejtim, shtoi ai, anëtarësimi në FMN do t’i ndihmojë shumë Kosovës.

“Kreditë e FMN-së bazohen në një program ekonomik. Aktualisht, nuk mendoj që Kosova ka nevojë për kredi të FMN-së për arsye financiare, por do të bisedojmë edhe për këtë detaj pas konsultimeve me Qeverinë e Kosovës”, pohoi zoti Baker.

Nëse Kosovës i duhen mjete nga FMN-ja, drejtori ekzekutiv i FMN-së potencoi se Kosova duhet t’i kërkojë ato nëpërmjet një aplikacioni të Qeverisë në FMN.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ritheksoi edhe një herë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar monetar.

“Ne do të jemi në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me FMN-në dhe nëse është nevoja dhe nëse harmonizohen të gjitha objektivat tona zhvillimore dhe mundësitë e zhvillimit të ndonjë programi të veçantë, sigurisht që do t’i qasemi edhe atij procesi”, tha zoti Shala.

Po ashtu, me procedurë të përshpejtuar, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë mbështetje projektligjit për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Organizatat e Grupit të Bankës Botërore.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, u shpeh:

“Duke pasur parasysh rolin që ka, funksionin që ka, nevojën që kemi ne për anëtarësimin në këto mekanizma financiarë ndërkombëtarë, ne si grup parlamentar e mbështesim si projektligj edhe procedurën e shpejtuar, që ky të bëhet sa më shpejt i realizuar dhe të ecim me ritmin që dëshirojmë të ecim”, deklaroi zoti Buja.

Edhe deputetët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë vlerësuar se një projektligj i tillë do të ndihmojë Kosovën në anëtarësimin e mëtutjeshëm në institucionet monetare ndërkombëtare.

Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thekson:

“Mbështetja për angazhimin e institucioneve tona e bën të qartë që ka ardhur koha që duhet të votojmë ligjin”.

Edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Shatri, tha se duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e krijimit të bazës ligjore për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, AAK është e gatshme të japë kontributin në forma të përshpejtuara të miratimit të këtij ligji.

“Është dashur më shumë angazhim; së paku një vlerësim i kostos ka mundur të nxirret i përafërt”, potencon ai.

Ndryshe, pro anëtarësimit të Kosovës në FMN kishin votuar 96 shtete, 38 kanë abstenuar, kurse 10 vende ishin kundër.
XS
SM
MD
LG