Ndërlidhjet

Prishtina i gëzohet hapjes së tunelit të Kalimashit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Përurimi i tunelit të Kalimashit është përshëndetur nga zyrtarë dhe ekspertë kosovarë, duke e cilësuar atë si momentin më të ndritshëm në historinë e shqiptarëve, që i hap rrugë dhe komunikimit fizik të lirë të shqiptarëve.


Shembja e murit në tunelin e Kalimashit, i quajtur nga kryeministri shqiptar, Sali Berisha, si tunel i bashkimit, është pritur me gëzim nga kosovarët, të cilët e vlerësuan përurimin e tunelit si momentin më të ndritshëm në historinë e shqiptarëve.

Përurimi i tunelit të Kalimashit, që është pjesa më e rëndësishme e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, është përshëndetur nga përfaqësues të partive politike në pushtet, por edhe nga ata në opozitë.

Deputeti nga partneri i koalicionit qeverisës - Lidhja Demokratike e Kosovës, Eqrem Kryeziu, e quan 31 majin një ditë të madhe.

“Besoj se kjo ka qenë një ditë shumë e madhe për shqiptarët, por, si tha edhe kryeministri shqiptar, edhe për rajonin. Është vepra më e madhe ndoshta e një gjysmëshekulli. Për një gjysmëshekulli sigurisht, se nuk do të tejkalohet një projekt i tillë, madje edhe në përmasa rajonale dhe jo vetëm shqiptare”, tha Kryeziu.

Përurimin e tunelit më të madh në Ballkan e ka vlerësuar lart edhe shefi i Grupit Parlamentar të partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

“Është ngjarje e madhe për ne, për Kosovën, për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët. Mendoj se jemi në një moment që do të mbahet mend”, tha Gjini.

Eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se me autotsradën po thyhen barrierat që kanë ekzistuar në shumë rrafshe mes kombit shqiptar në Kosovë e Shqipëri. Ai numëron përfitime të mëdha që do të kenë jo vetëm shqiptarët, por edhe kombet e rajonit nga ky projekt, që vetëm Shqipërisë i ka kushtuar rreth 1 miliard euro.

“Është shumë e qartë se interesi i parë është lidhja me rajonin, konkretisht me Kosovën. Por, ka interesin edhe brenda Shqipërisë, sepse zonat në veri janë pak të lëna pas dore dhe kjo autostradë i krijon mundësinë zhvillimit të brendshëm të Shqipërisë”.

“Por, nëse shikohet nga këndi kosovar, rëndësia esenciale është se Prishtina pothuajse bëhet qytet bregdetar. Për 2 orë e gjysmë deri në bregdet nuk është një distancë e largët dhe dalja në portin e Durrësit është si mundësi për të komunikuar me tregjet rajonale përmes rrugëve detare”,
tha Rexhepi.

Mirëpo, Rexhepi thotë se autostrada Durrës-Kukës-Morinë do të jetë gjysmake, nëse edhe Kosova nuk kryen punën e saj deri në fund - ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare.

“Nuk duket një seriozitet i Qeverisë së Kosoëvs, së paku jo si i asaj që ka manifestuar Qeveria në Tiranë. Mospërfudnimi i autostradës, pjesës kosovare, dëmton rëndë Shqipërinë dhe projektin, në të cilin ka investuar 1 miliard e sa euro”, tha Rexhepi.

Kryeministri Hashim Thaçi premtoi sot, në ceremoninë e përurimit të Tunelit të Kalimashit, se Kosova shpejt do të kryejë autostradën Vërmicë-Prishtinë. Eqrem Kryeziu beson se kryeministri do ta mbajë fjalën.

”Po, zoti Thaçi, në cilësinë e kryeministrit, u zotua publikisht se do ta kryejë punën e vet deri në Prishtinë; ai e përmendi kështu - sa më shpejt që të jetë e mundshme, do ta kryejë këtë punë”, u shpreh Kryeziu.

Ardian Gjini shpreson që përurimi i tunelit të Kalimashit do ta nxisë Qeverinë e Kosovës në fillimin e punës në autostradë.

“Unë shpresoj që prania e zyrtarëve të Kosovës atje të mos jetë vetëm simbolike, politike, por të ndihmojë që ta kuptojnë peshën e një rruge të tillë dhe sa më shpejt që të jetë e mundshme të fillojnë me punën. Mos harroni se premtimi se kjo rrugë do të kryhet për dy vjet është dhënë para dy vjetësh, e rruga nuk ka nisur ende”, deklaroi Gjini.

Zyrtarët kosovarë pajtohen me atë që tha edhe kryeministri Berisha, se çmimi i tunelit dhe i vetë rrugës është dhjetëra-qindra herë me i vogël sesa vlera e tij e madhe morale.

Ekspertët, ndërkaq, i sugjerojnë Qeverisë së Kosovës që të kryejë pjesën e saj të autostradës, në mënyrë që të mos dëmtojë investimet kapitale që ka bërë Tirana zyrtare në autostradën që ul distancën mes Prishtinës e Durrësit në vetëm 3 orë.
XS
SM
MD
LG