Ndërlidhjet

Drejtësia pa polici gjyqësore


Sistemi gjyqësor në Kosovë nuk do të ketë policinë e tij. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar, ka hequr nga procedurat hartimin e strategjisë ligjore për themelimin e policisë gjyqësore.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, bën të ditur se ekzekutivi i vendit ka vendosur që për punët e policisë në sistemin gjyqësor, të kujdeset policia e zakonshme e vendit.

“Draft-ligji për funksionimin e policisë gjyqësore është hequr vitin e kaluar nga strategjia legjislative e Qeverisë, se kemi konsideruar se nuk ka nevojë për krijimin e policisë gjyqësore, duke qenë se funksionet e policisë gjyqësore janë të parapara me Kodin e Procedurave Penale dhe si të tilla i kryen policia e vendit”, tha Rexhepi.

Por, nga ana tjetër, ekspertët e sigurisë, një vendim të tillë e konsiderojnë të gabuar, pasi që, sipas tyre, një polici e tillë ekziston në të gjitha vendet e botës. Eksperti Nuredin Ibishi thotë se në Ligjin për Policinë e Kosovës parashihet formimi i kësaj policie.

“Së pari, me Ligjin e përkohshëm të procedurës penale dhe me Ligjin e Policisë është i theksuar ekzistimi i policisë gjyqësore dhe është e pakuptimtë që ende nuk është marrë një vendim politik për implementimin e tij, në nivelin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, që ai vendim të jetësohet”, tha Ibishi.

Zoti Rexhepi, nga Ministria e Punëve të Brendshme, thotë se një vendim i tillë ka ardhur edhe pas konsultimeve me ekspertët ndërkombëtarë.

“Kemi bërë vlerësimet dhe kemi marrë edhe mendimet prej ekspertëve ndërkombëtarë, dhe kemi vlerësuar se nuk është e nevojshme për të krijuar policinë gjyqësore”, tha ai.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria ngarkohet me punë kryesore në zhvillimin e hetimeve. Në shumë raste, detyrat e parapara gjatë hetimeve, duhet të kryhen nga ana e policisë gjyqësore. Mirëpo, ky njësit i policisë në Kosovë nuk ekziston.

Aktualisht, punët e policisë gjyqësore po i kryen policia e departamentit të krimeve në kuadër të Policisë së Kosovës. Megjithatë, zoti Ibishi vlerëson se me një vendim politik, institucionet e vendit duhet të vendosin ose të amandamentojnë Ligjin për Policinë, ose të krijojnë policinë gjyqësore.

“Definitivisht duhet të merret një vendim politik dhe të definohet dhe të hiqet nga ligji ose të jetësohet ajo çka është thënë në ligj. Kjo që moti ka qenë intencë kur Kodi i Procedurës Penale është bërë i plotfuqishëm më 2004”, u shpreh Ibishi.

Për të qenë sa më funksionale, efikase dhe sa më e organizuar në lëmi të ndryshme, policia gjyqësore duhet të ekzistojë dhe të veprojë nëpër polici regjionale, thonë ekspertët.

Për çdo veprim hetues, thonë ata, policia gjyqësore do ta njoftonte prokurorin publik, do të mblidhte të dhëna të duhura, do të bisedonte me të dyshuarit e dëshmitarët, si dhe do të siguronte dëshmi materiale të nevojshme për rastet konkrete.
XS
SM
MD
LG