Ndërlidhjet

Përse Obama zgjodhi Kajron?


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama

Më 4 qershor, presidenti Barak Obama do të mbajë një fjalim në Kajro, të cilin Shtëpia e Bardhë e përshkroi si kryesorin drejtuar botës myslimane.




Fjalimi i Obamës në Kajro do të "theksojë përkushtimin e tij personal për angazhimin mbi interesa të përbashkëta dhe respektin reciprok," dhe përfshin idetë e Obamës për tejkalimin e dallimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve myslimane në botë.

Në pyetjen përse u zgjodh Kajro për të ashtuquajturin “fjalimin mysliman të Obamës”, ka pasur shumë diskutime që kur u bë publik njoftimi.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kishin pritur që Obama të zgjedhë Indonezinë si vendin më të njohur mysliman në botë, ku presidenti amerikan ka kaluar fëmijërinë.

Sipas zyrtarëve të lartë të administratës Obama, Kajro është përzgjedhur për shkak se Egjipti, për një kohë të gjatë, është aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara, një vend kyç ne botën arabe dhe myslimane dhe një lojtar shumë i rëndësishëm në Lindjen e Mesme.

Ekspertja për politikat arabe dhe amerikane në Institutin për Paqe Ndërkombëtare në Karnegi, Mishel Dune, thotë se Kajro nuk është zgjidhja e përkryer, por më e logjikshmja.

“Mendoj se administrata Obama ka qenë mjaft ambicioze në kuptimin e asaj se çfarë është bërë deri tash në Lindjen e Mesme. Kjo tregon dhe më duket qëllimisht, se presidenti Obama është duke u angazhuar direkt në Lindjen e Mesme. Ai po i trajton drejtpërdrejt çështjet më kritike dhe nuk i zvarrit. Po të kishte zgjedhur një vend jashtë botes arabe për të mbajtur fjalimin e tij, do të dukej sikur synon të zgjedhë rrugën më të lehtë”, tha Dune.

Politologu Amr Hamzavi mendon se Obama e zgjodhi Kajron sepse i ofron atij mundësinë për të folur jo vetëm për marrëdhëniet në mes SHBA-së dhe myslimanëve, por edhe për çështjet urgjente politike dhe të sigurisë së rajonit.

Ai thotë se, në këtë mënyrë, Uashingtoni dërgon një mesazh, me të cilin do të dëshmojë se i ka prioritet çështjet si konflikti izraelito- palestinez, të ardhmen e Irakut, programin bërthamor të Iranit dhe rritjen e ekstremizmit. Por, ka dhe mesazh tjetër, thotë ai.

“Është një zgjidhje e matur. Të shkosh në Egjipt, është në fakt sinjal i qartë për preferencat e Amerikës në rajon. Egjipti natyrisht që ka deficite të dukshme kur bie fjala për të drejtat e njeriut, por, në përgjithësi, është një shtet i moderuar, modern dhe i përkushtuar për reforma graduale dhe paqe”, tha Hamzavi.

Problemet në lidhje me të drejtat e njeriut, sipas tij, kanë krijuar spekulimet mbi mundësinë e ngritjes së kësaj çështjeje në bisedimet e Obamës me liderin autoritativ të Egjiptit, Hosni Mubarak, i cili ka qenë president i Egjiptit në 28 vjetët e fundit dhe lejoi mbajtjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale vetëm 4 vjet më parë.

Analistët thonë se temat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, janë të pashmangshme gjate bisedimeve në Kajro.

Ata po ashtu pohojnë se në mesin e arabëve ka pritje të mëdha se Obama do të nxjerrë një plan për paqe jo vetëm midis Izraelit dhe palestinezëve, por edhe për Lindjen e Mesme në përgjithësi.
XS
SM
MD
LG