Ndërlidhjet

Imuniteti i Avokatit të Popullit nga politika


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se Avokati i Popullit nuk duhet t’i lejojë presionet politike. Vetë i sapozgjedhuri i Kuvendit të Kosovës në këtë post, Sami Kurteshi, u zotua për paanësi në institucionin që do drejtojë.


Në institucionin e Avokatit të Popullit nuk do të mund të ndikojë politika, pavarësisht asaj që emërimi i udhëheqësit të këtij organi u bë me një konsensus të partive politike në Kuvendin e Kosovës. Këtë të paktën e thonë njohës të të drejtave të njeriut.

Vetë i sapozgjedhuri i Kuvendit në postin e Avokatit të Popullit, zoti Sami Kurteshi, tha për Radion Evropa e Lirë se do të punojë i pandikuar nga qarqet politike.

“Nga përvoja e deritashme, mendoj që institucioni ka qenë relativisht i pavarur politikisht - po them, edhe pse nuk e njoh shumë mirë - dhe mendoj që i tillë do të mbetet. Ndonjë pavarësi absolute nuk kemi, por mendoj që në këtë drejtim do të respektohen parimet kushtetuese - unë jam për atë. Jam i prirë dhe qasja ime është ashtu që ndikimet nga jashtë, nuk kanë të bëjnë profesionalisht me institucionin”, tha Kurteshi.

Zoti Kurteshi konsideron se kohëve të fundit ka tendenca nga qarqe të ndryshme për të pasur ndikime politike në shumë institucione. Por, siç shprehet ai, përpjekjet për ndërhyrje politike në punën e tij nuk do të kenë sukses.
...do të ketë përpjekje, por përpjekjet nuk janë gjithmonë edhe të suksesshme...

“Përpjekja për të ndikuar edhe jashtë asaj që nuk është sferë e jona, është një tendencë relativisht e përhapur, kështu që nuk e përjashtoj që të ketë mundësi. Mirëpo, në këtë drejtim nuk do të kemi ndonjë problem të madh. Sigurisht, do të ketë përpjekje, por përpjekjet nuk janë gjithmonë edhe të suksesshme”, theksoi Kurteshi.

Edhe njohësit e tjerë që mbrojnë të drejtat e njeriut, pohojnë se institucioni i Avokatit të Popullit duhet të veprojë i pavarur.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, mendon se me zgjedhjen e zotit Kurteshi si Avokat të Popullit, nuk do të ketë kurrfarë ndikimesh që do të mund të humbnin kredibilitetin e institucionit të Avokatit të Popullit.

“Unë jam shumë i sigurt që zoti Kurteshi nuk do t’u nënshtrohet ndikimeve politike. Gjithashtu jam i sigurt që zoti Kurteshi, kur do të vijë në situatë, ku për shkak të ndikimeve politike, nuk do të mund ta ushtrojë funksionin e tij si Avokat i Popullit për të gjithë qytetarët e Kosovës, ai nuk do të qëndrojë në atë vend. E njoh gatishmërinë e tij për të ofruar shërbimet e tij për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Shala.

Sipas tij, ndikimet që mund të shkojnë në adresë të Avokatit të Popullit mund të jenë ato të misioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Te Avokati i Popullit më shumë do të ketë ndikime nga ndërkombëtarët, sesa nga vendorët. Aty është provimi i parë, të cilin do ta japë zoti Kurteshi...

“Te Avokati i Popullit më shumë do të ketë ndikime nga ndërkombëtarët, sesa nga vendorët. Aty është provimi i parë, të cilin do ta japë zoti Kurteshi. Mendoj që ndërkombëtarët do të bëjnë një presion te Avokati i Popullit që ky të ketë një qasje më pragmatike, më të butë ndaj pakicave”, u shpreh Shala.

Ndryshe, Sami Kurteshi është shprehur i bindur që për postin e tij si Avokat i Popullit do ta ketë përkrahjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG