Ndërlidhjet

Solidariteti i Havelit me protestuesit iranianë


Vaclav Havel
Vaclav Havel

Ish-presidenti i Çekisë, Vaclav Havel, mbetet vazhdimisht i angazhuar në luftën për të drejtat e njeriut dhe demokracinë nëpër botë, nga Bjellorusia tek Burma. Duke diskutuar krizën post-zgjedhore në Iran me korrespondenten e Radios Evropa e Lirë, Golnaz Esfandiari, Havel ka shprehur solidaritetin me demonstruesit, të cilët akuzojnë autoritetet për vjedhjen e votave.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti President, jeni cituar të keni thënë se rizgjedhja e Mahmud Ahmadinexhadit si president i Iranit, është shqetësuese. Përse?

VACLAV HAVEL
Unë e njoh atë përmes shumë deklaratave të tij, të cilat janë shfaqur nëpër media. Kuptohet, unë nuk kam qenë atje personalisht kur i ka bërë ato. Por, këto janë deklarata shumë shqetësuese. E kuptoj plotësisht ankthin që ato provokojnë.

Më duhet të shtoj që unë nuk e ndjej konfliktin ndërmjet kulturave, religjioneve apo qytetërimeve. Më mirë e ndjej obsesionin e njerëzve. Dhe ky obsesion, në kohët tona moderne – që ka qasje në të gjitha llojet e shpikjeve teknologjike, përfshirë dhe ato shkatërrueset, siç janë armët bërthamore – është një mijë herë më i rrezikshëm se në mesjetë apo në kohët e mëparshme. Dhe, kjo është ajo pse unë mendoj që ky ankth për Ahmadinexhadin është me vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Jam e sigurt që keni ndjekur protestat në Teheran dhe në qytetet e tjera. Shumë në Iran besojnë se ka pasur mashtrime masive në këto zgjedhje. Cili është gjykimi juaj?

VACLAV HAVEL

Natyrisht, unë nuk mund ta kontrolloj këtë. Por, është e mundshme, gjëra të tilla ndodhin. Unë vetëm mundem të bashkëndjej me protestuesit dhe të shpresoj të mos ketë masakra.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të duhej të reagonte bota, e veçanërisht shtetet perëndimore?

VACLAV HAVEL
Nuk do të doja të jepja këshilla. Por, sigurisht që janë disa mënyra për të izoluar këtë regjim, përmes embargove të ndryshme, për shembull. Do të duheshin masa që nuk do të ishin të drejtuara kundër njerëzve, por kundër kësaj forme të qeverisë.

Dhe, në të njëjtën kohë, shfaqja e solidaritetit me ata që mbrojnë të drejtat e njeriut, me studentët dhe të tjerët, është e rëndësishme. Në përgjithësi, nafta nuk do të duhej të ishte më e rëndësishme se të drejtat e njeriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni shumë i njohur dhe i respektuar nga shumë njerëz në Iran. Çka do të donit t’u thoshit iranianëve drejtpërsëdrejti?

VACLAV HAVEL
Unë do të doja t’u thosha se bashkëndjej me ta, se i mbaj gishtat e kryqëzuar për ta dhe do t’i këshilloja që të mos bien pre e skepticizmit nëse nuk arrijnë rezultate të menjëhershme, pavarësisht përpjekjeve të tyre.

Këto përpjekje janë të rëndësishme për veten e tyre, sepse është virtyt për të punuar për arsye të mirë. Dhe, këto përpjekje mund të shpaguhen më vonë, Zoti e di kur, Zoti e di si. Por, ti s’mund ta dish kohën. Kjo, të paktën, është përvoja jonë.
XS
SM
MD
LG