Ndërlidhjet

Autostrada fillon punimet këtë vit


Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autostrada Vërmicë - Merdare do të fillojë të ndërtohet në muajin gusht apo shtator të këtij viti, nëse në aspektin financiar do të realizohen disa nga shpresat që autoritetet vendore kanë. Ndihmën për realizmin e këtij projekti e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë.


Autoritetet vendore shprehen të bindura se të gjitha problemet që do t’i hasin gjatë ndërtimit të autostradës Vërmicë – Merdare, do t’i tejkalojnë. Ata thonë se me asistencën e Bankës Botërore do të garantojnë një proces transparent dhe me standarde evropiane.

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, thotë se ndërtimi i infrastrukturës rrugore, siç është ndërtimi i autostradës dhe magjistraleve, që disa prej tyre tashmë janë në përfundim e sipër, do t’i mundësojë Kosovës lidhjen me tregjet e treta si dhe vetë tregjet e treta të kenë qasje në tregun e Kosovës.

Ministri Limaj pohon se me ndërtimin e infrastrukturës rrugore, Kosova po del nga një oazë e izoluar në të cilën kishte qenë me vite të tëra.

“Jam i bindur që Kosova do të jetë një vend që e lidh Maqedoninë me Malin e Zi, e lidh Malin e Zi me Maqedoninë, por edhe me Serbinë Jugore, me Bullgarinë dhe Turqinë dhe kështu mund të shkojmë në drejtim të Shqipërisë për Itali, ose pas ndërtimit të autostradës, në drejtim të Adriatikut që lidh Malin e Zi me Kroacinë e deri në Austri”, thotë ministri Limaj.

Ndërkaq, çështjen e shpronësimit, që konsiderohej si problem mjaft i theksuar, ministri Limaj e konsideron çështje të zgjidhur.

“Ne kemi filluar me procesin e shpronësimit. Ministria e Ekonomisë dhe Financave, së bashku me Komunën e Prizrenit, kanë filluar takimet dhe veprimet e para për shpronësimin e tokave. Do të zgjidhet një kompani, e cila do të bëjë pozicionimin dhe identifikimin e trasesë”, tha Limaj.

Në takimin e sotëm të Komitetit ndërministror të Qeverisë së Republikës së Kosovës për autostradën Merdare-Morinë, autoritetet vendore kanë marrë përkrahjen e Bankës Botërore për realizimin e këtij projekti.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Ranjit Rajnak, tha:

“Ne kemi ofruar kualitetin tonë dhe cilësinë më të lartë në këshillim për ministrinë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ministrinë për të siguruar se ofrojmë kualitetin më të lartë dhe këshillat tona më të mira teknike, që ekspertët tanë mund t’i ofrojnë. Ne do të shikojmë që edhe në të ardhmen të punojmë ngushtë me ministrinë. Ministria dhe Banka kanë punuar shumë bashkë dhe me shumë përkushtim. Ky është një projekt i madh dhe ne do të donim ta përkrahim sa më shumë që mundemi”, tha Rajnak.

Në anën tjetër, eksperti për çështje ekonomike, Besim Beqaj, thotë se me ndërtimin e autostradës, parimisht Kosova do të ketë një rrugë, e cila do të mundësojë që bizneset kosovare të ulin koston e transportit dhe të mos varen nga disponimet jo të mira rajonale.

“Njëkohësisht e faktorizon biznesin e Kosovës në të ardhmen, që përmes kësaj autostrade të hyjë në marrëdhëniet kontaktuese edhe më të madha, për të blerë produkte të berëzës në ujërat e hapura, duke pasur parasysh që edhe porti i Shëngjinit, porti i Durrësit, por edhe porti që është duke u punuar në Vlorë, do të jenë në interes për ekonominë e Kosovës”, u shpreh Beqaj.

Se sa mund te jetë real fillimi i autostradës, zoti Beqaj thotë se segmenti i parë që duhet të fillohet sa më shpejt, është segmenti prej pikës kufitare deri në Prizren.

“Ndërtimi i autostradës është shumë i nevojshëm. Mundësia për ndërtimin e saj ekziston. Nëse jo krejt prej buxhetit të Kosovës, atëherë mund të hyhet në partner publiko - privat dhe të krijohet hapësirë për realizmin e këtij projekti”, tha zoti Beqaj.

Sido që të jetë, traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna, në gjatësi prej 118 kilometrash, dhe me asfalt do të mbulohen 1062 hektarë tokë. Korridori, në të cilin parashikohet të kalojë autostrada Merdare-Vërmicë, është shpallur zonë e interesit të veçantë nga Kuvendi i Kosovës.
XS
SM
MD
LG