Ndërlidhjet

Ligjet për ekonomi vetëm në letër


Pothuajse në të gjitha raportet që hartojnë organizatat ndërkombëtare për Kosovën, vonesën apo moszbatimin fare të ligjeve edhe më tej e konsiderojnë si problem tejet të madh.


Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se moszbatimi i ligjeve vonon integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, por edhe pengon ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Alban Zogaj, nga Instituti për Hulumtime dhe Zhvillime Riinvest, thotë se Kosova ka nevojë për ligje, por edhe për zbatim të tyre, e që në fakt, sipas tij, kjo nuk është duke ndodhur.

Ai thotë se vërejtjet më të mëdha ta bashkësisë ndërkombëtare janë tek zbatimi i kontratave dhe pronave.

“Zbatimi i ligjit, zbatimi i kontratave, zbatimi i të drejtave pronësore janë çështje kyçe që kërkohen. Pa zbatim të këtyre ligjeve ekonomike, e që pjesa e kontratave dhe pronës është kryesore, nuk do të ketë zhvillim ekonomik ashtu si ne po e kërkojmë dhe dëshirojmë”, thekson zoti Zogaj.

Një pjesë e madhe e ligjeve për ekonomi, sipas zotit Zogaj, janë të përshtatura nga vendet e rajonit dhe ka mundësi që një pjesë e këtyre ligjeve nuk përkojnë me Kosovën. Por, sipas tij, e rëndësishme është që këto ligje ashtu si janë, të zbatohen.

“Të shohim që kompani të ndryshme të dënohen për shkak të moszbatimit të ligjit, për shkak të moszbatimit të kontratave dhe rregullave dhe në atë formë të fillohet me zbatimin e ligjeve”,
thotë ai.

Ndërkaq, deputetë të Kuvendit të Kosovës thonë se janë shumë të pakënaqur me moszbatimin në praktikë të ligjeve që ata i hartojnë me mund, por edhe shpenzojnë shuma të mëdha parash.

Ligjvënësit kosovarë
Myzejene Selmanaj, kryetare e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion në Kuvendin e Kosovës, e cila merr pjesë në hartimin e ligjeve e më pas edhe në monitorimin e ligjeve që harton komisioni, thekson se është një numër i madh i ligjeve për ekonomi, që janë miratuar nga organi ligjvënës e që nuk kanë gjetur zbatim.

“Mungon një kulturë politike e ekzekutivit, e cila duhet të merret me zbatueshmërinë e ligjeve. Sado ligje të mira të jenë apo me mangësi, nëse zbatohen prapëseprapë do të jenë më të mira për qytetarët e Kosovës, sesa nëse nuk zbatohen fare”, thotë zonja Selmanaj.

Sipas saj, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë të pamundurën që ligjet e miratuara nga dikasteri i ekonomisë, të zbatohen.

“Në komisionin tonë, diku në vit, dalin 26 ligje, se është një numër i madh i tyre. Mirëpo, në shumë raste unë kam qenë në monitorim të ligjeve, njerëzit nuk e dinë as që ekziston ligji, edhe pse janë në vende ekzekutive. Kjo është tmerr për Kosovën”, shprehet zonja Selmanaj.

Eksperti për çështje ekonomike, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Berim Ramosaj, thotë se ligji për rrugët është njëri nga ligjet, i cili nuk ka gjetur fare zbatim, e që në fakt, siç thekson ai, është njëri nga ato ligje që do të ndihmojë në zhvillimin e ekonomik.

“Moszbatimi i ligjeve në ekonomi është një sindrom negativ në përgjithësi për të gjitha ligjet, por këto të natyrës ekonomike kanë konsekuenca më të mëdha, sepse edhe kur kanë ardhur në propozim dhe në procedurat parlamentare, kanë ardhur si ligje me urgjencë, pasi që kanë pasur të bëjnë me jetën e qytetarëve”, deklaroi Ramosaj.

Sidoqoftë, zbatimi i ligjeve për ekonomi, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se mbetet një sfidë për organet ekzekutive.
XS
SM
MD
LG