Ndërlidhjet

Intensifikohen masat kundër virusit H1N1


Qendra emergjente në Prishtinë
Qendra emergjente në Prishtinë
Qendra Klinike Universitare në Prishtinë dhe qendrat tjera spitalore në mbarë Kosovën janë të përgatitura për pranimin e pacientëve, të cilët eventualisht mund të preken nga influenca A H1N1, e njohur në opinion si gripi i derrave.

Kjo u bë e ditur pas një takimi të strukturave përgjegjëse, të cilat janë në monitorim dhe në përpjekje për ndalimin e virusit H1N1. Në këtë takim po ashtu u shqyrtua gjendja në Kosovë pas ngritjes në shkallën e gjashtë të alarmit nga virusi H1N1, nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, tha se autoritetet përkatëse kanë ardhur në përfundim që monitorimi në Republikën e Kosovës, sa i përket influencës A, të intensifikohet.

“Ne biseduam për laboratorin referent në rast dyshimi për influencë. Ne kemi pajisjet e nevojshme, trajnimin e ekspertëve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që kanë filluar muaj më parë dhe janë duke vazhduar. Për ne qendër referente e para për verifikim është Lubjana, e dyta është Londra dhe e treta është çdo vend tjetër, ku mund të kryhet sa më shpjet ekzaminimi”, tha ministri Gashi.

Ai deklaroi se laboratori në qendrën Klinike Universitare dhe në Institutin e Shëndetit Publik do të aktivizohet në fillim të shtatorit. Megjithatë, ai pohoi se ekziston terapia e nevojshme për rastet eventuale. Në këtë fazë, sipas ministrit Gashi, në klinikat infektive ekzistojnë doza të tamiflusë dhe material shpenzues.

Ministri Gashi bëri të ditur se sot do t’i bëhet një kërkesë Qeverisë së Republikës së Kosovës për porosi të vaksinës kundër virusit H1N1, vaksinë e cila së pari do t’u bëhet mjekëve dhe punëtorëve publikë. Në fazën fillestare, siç deklaroi ai, do të kërkohen rreth 450 mijë vaksina.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, i rekomandoi Ministrisë së Shëndetësisë që të shtohet niveli i vigjilencës, niveli i mbikëqyrjes në institucionet shëndetësore dhe të vazhdohet me kampanja të ndryshme publike, me qëllim të vetëdijesimit të opinionit.

“Në raste të shfaqjes së simptomave të gripit, qoftë te personat që udhëtojnë në drejtim të Kosovës apo anasjelltas, të paraqiten sa më parë tek mjeku më i afërt, sepse në atë mënyrë ata mbrojnë anëtarët e familjes dhe anëtarët e gjerë të shoqërisë”, tha Syla.

Strukturat përgjegjëse për monitorim dhe përpjekje për parandalim të influencës A gjithashtu apelojnë tek qytetarët që të mos vizitojnë spitalet, përveç se në rastet kur ata janë të sëmurë personalisht.

Mbajtja e higjienës personale dhe në vendet publike gjithashtu, sipas tyre, është esenciale.

“Nga sot kemi lutje nga policia kufitare e Kosovës, që në rastin e ekzaminimit të dokumentacionit të jenë 2 apo 3 pyetje, të cilat kanë të bëjnë me influencën dhe njerëzit që kanë nevojë për terapi ta kenë menjëherë. Nuk ka vend për panik. Jemi duke u përgatitur. Në këtë fazë qëndrojmë mirë”, theksoi ministri Gashi.

Ndryshe, Kosova është e rrethuar nga vende të prekura nga virusi H1N1. Pas Serbisë e Malit të Zi, ky virus thuhet të jetë konfirmuar edhe në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG