Ndërlidhjet

Kosova në FMN dhe BB


Selia e FMN-së
Selia e FMN-së

Udhëheqësit e Kosovës i nënshkruan në Departamentin e Shtetit artikujt e marrëveshjes për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.


Në ceremoninë në Uashington ishin të pranishëm zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Stajnberg, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë.

Stajnberg e vlerësoi lart anëtarësimin e Kosovës në këto dy organizata financiare ndërkombëtare.

“Kjo vërtet e përfaqëson integrimin tuaj në rritje në bashkësinë ndërkombëtare, të cilin ne e mirëpresim dhe jemi të lumtur që po bëhet. Kjo është shenjë e vërtetë se ju po bëheni kontribuues në disa nga punët më të rëndësishme që bën komuniteti ndërkombëtar”, tha nënsekretari Stajnberg.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se anëtarësimi i Kosovës flet për përgjegjësitë që i merr ky shtet.

Banka Botërore
“Ky është një evoluim pozitiv i të gjitha zhvillimeve tona, por është edhe një deponim i përgjegjësisë sonë. Bashkë me ju do të ndihmohemi dhe do të ecim për ta zhvilluar Kosovën sa më shpejt”,
tha presidenti Sejdiu.

Ndërsa, kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se anëtarësimi në FMN dhe BB do të ndikojë pozitivisht për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Kjo është historia e re e Kosovës, për të cilën kemi punuar bashkërisht të gjithë shumë. Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar është i rëndësisë edhe politike, edhe ekonomike, për shtetin e ri të Kosovës, e forcon sovranitetin e shtetësisë sonë dhe i hap perspektivë zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Ministri i Financave, Ahmet Shala, tha se Kosova do të bëjë çmos që të jetë e barabartë me pjesën tjetër të botës.

“Me vite të tëra kemi ëndërruar që të jemi të barabartë dhe ky anëtarësim bëri që kjo ëndërr të realizohet”, tha Shala.

Anëtarësimin e Kosovës e mirëpriti edhe vetë drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus Kan.

“Kam kënaqësinë ta mirëpres Kosovën, anëtaren e parë të re gjatë mandatit tim. Jam veçanërisht i kënaqur me përkushtimin e autoriteteve kosovare për forcimin e qëndrueshmërisë së kuadrit politik të tyre”, tha Shtraus Kan, ish-ministër i Financave në Francë, i cili mori drejtimin e FMN-së në nëntor, 2007.

Kosova tash është anëtarja i 186-të e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG