Ndërlidhjet

Garë e ngushtë, e djathta prin me 71 mandate


Qendër votimi në Tiranë, 28 qershor '09.
Qendër votimi në Tiranë, 28 qershor '09.

Pas numërimit të katër të pestave të votave, Aleanca për Ndryshim, e kryesuar nga Partia Demokratike, ka siguruar 71 mandate, Partia Socialiste 65, Lëvizja Socialiste për Integrim 4. Rezultatet përfundimtare pritet të bëhen të ditura sonte vonë ose nesër në mëngjes.

Numërimi i votave në Shqipëri ka vazhduar dhe duket se mbarimin nuk do ta kuptojmë sonte.

Deri në këto çaste janë numëruar rreth 4,400 qendra votimi dhe, sipas tyre, me një epërsi fare të lehtë prin Partia Socialiste me 41 për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike ka siguruar 39,85 për qind të votave.

Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës deri më tash ka siguruar 4.8 për qind të votave.

Por, kjo epërsi e lehtë e Partisë Socialiste e përkthyer në mandate kthehet në epërsi të Partisë Demokratike.

PD ka siguruar 68 mandate, PS - 64, LSI - 4, PDI - 2 dhe PR e PBDNJ nga një mandat.

Sipas kësaj llogarie, Aleanca për Ndryshim, e kryesuar nga Partia Demokratike e Sali Berishës, disponon 71 mandate, ndërsa Bashkimi për Ndryshim, i kryesuar nga Partia Socialiste 65.

Gjatë ditës, përfaqësuesit e dy partive kanë vazhduar me akuza për bllokim të procesit të numërimit. Në këtë kontekst, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka thënë se “numërimi i votave po degjeneron”, ndërsa zëdhënësja e PD-së, Majlinda Bregu, ka ftuar PS-në të mos bllokojë numërimin e votave.

Duket se mbyllja e procesit të numërimit të votave nuk do të përfundojë sonte.
XS
SM
MD
LG