Ndërlidhjet

Zvarritet Ligji për financimin e partive politike


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Mungesa e Ligjit për financimin e partive politike, sipas ligjvënësve kosovarë, paraqet probleme të mëdha te partitë politike. Por, përfaqësuesit e lartë të qeverisë pohojnë se ligji do të kalojë shumë shpejt në Kuvend për miratim.


Me gjithë premtimet e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, Ligji për financimin e partive politike nuk ka kaluar ende në Kuvend për miratim. Kjo vonesë, sipas qeveritarëve, po ndodh pasi që në projektligj po punojnë ende ekspertët.

Një grup punues qeveritar dhe i ekspertëve është në fazën përfundimtare të përpilimit dhe ai ligj pritet të kalojë shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës për miratim, thotë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Por, ai nuk saktëson kohën se kur.

“Grupet punuese janë duke punuar, besoj që do të përgatitet shumë shpejt. Një draft tanimë është i punuar, por ka nevojë për diskutime dhe me ekspertë dhe për mënyrën e gjetjes së një ligji të përshtatshëm dhe të krahasuar me vendet e tjera demokratike. Unë jam i bindur që shumë shpejt do të përfundojë ky proces dhe do të dërgohet në Kuvend”, tha Kuçi.

Ekspertët, këtë ligj e kanë vlerësuar si të domosdoshëm për rritjen e transparencës së subjekteve politike, por edhe pamundësimin e keqpërdorimeve.

Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë për vonesën e hartimit të ligjeve, duke thënë se ajo nuk ka një politikë të duhur në këtë rrafsh.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, thotë se vonesa e miratimit të Ligjit për financim të partive politike vjen si pasojë e neglizhencës qeveritare.

“Mendoj që është mungesë e politikave që duhet t’i ketë qeveria, gjithashtu duke përfshirë edhe Ligjin për financim të partive politike. Pse është bërë neglizhencë dhe vonesë, mbase më së miri duhet të përgjigjet qeveria”.

“Por, konsideroj se është neglizhencë e panevojshme, nëse është e nevojshme që ajo të jetë pjesë e pakove të ligjeve. Andaj, si partia më e madhe në pushtet, duhet të japë shembullin e vet, të jetë më përgjegjëse dhe më transparente ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët i kanë votuar”,
tha zonja Syla.

Por, zëvendëskryeministri Kuçi konsideron se Ligji për financimin e partive politike nuk është vetëm çështje e ekzekutivit.

“Ky ligj nuk ka të bëjë vetëm me qeverinë, ka të bëjë me të gjitha subjektet politike që janë në Kosovë, nënkupton për partitë politike edhe parlamentare, edhe joparlamentare, edhe ato në pozitë dhe opozitë”, tha ai.

Nga ana tjetër, edhe Eqrem Kryeziu, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se Ligji për financimin e partive politike është i domosdoshëm. Sipas tij, mungesa e ligjit krijon situatë të përshtatshme që partitë politike t’i keqpërdorin mjetet financiare.

“Nëse nuk ke një ligj, që do të thotë nuk ke të drejtën e kontrollit të të hyrave për parti politike, atëherë favorizohet korrupsioni definitivisht dhe pastaj korrupsionin dikush ka mundësi ta shfrytëzojë”, tha Kryeziu.

Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës alarmon se mungesa e këtij ligji hap rrugë për keqpërdorime. Sipas analizave të kësaj organizate, disa nga shtetet e rajonit aplikojnë mbikëqyrjen e financimit të partive politike nga auditorët gjeneralë, Ministria e Financave, Gjykata e Auditorëve, si dhe nga auditorë të pavarur.

Një element tjetër që nuk është marrë parasysh në Kosovë, është edhe themelimi i organeve të pavarura të auditimit, të pajisura me kompetenca të mjaftueshme për të mbikëqyrur llogaritë e partive politike dhe shpenzimet lidhur me fushatat zgjedhore.
XS
SM
MD
LG