Ndërlidhjet

MPB: Serbët po pajisen me dokumente të Kosovës


Zyrtarë kosovarë thonë se ka një tendencë të rritjes së numrit të serbëve, që duan të pajisen me dokumente të Kosovës. Por, ata thonë se ende ka hezitim, për shkak të thirrjes së Beogradit për t’i refuzuar këto dokumente.


Banorët serbë në Komunën e Shtërpcës, Kamenicës dhe Gjilanit janë ata të cilët së fundi kanë shprehur interesimin më të madh për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës. Të paktën kështu bëjnë të ditur përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, thotë se interesimi i qytetarëve serbë për të pasur dokumente të udhëtimit, në muajt e fundit është rritur.

“Interesimi është në rritje e sipër. Fillimisht kemi pasur një hezitim nga qytetarët e komunitetit serb për t’u pajisur me dokumentet e Republikës së Kosovës - kjo për faktin se u është bërë thirrje publikisht që t’i refuzojnë këto dokumente nga Beogradi zyrtar”.

“Mirëpo, çdo ditë po kemi reflektim nga ana e tyre dhe një numër i madh i tyre po aplikojnë për dokumente të Republikës së Kosovës”,
tha Rexhepi.

Ai nuk ka dashur të japë shifra rreth asaj se sa është numri i atyre personave, që janë pajisur me dokumente.

“Një gjë është e sigurt, se në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk i ndajmë qytetarët në baza etnike. Domethënë, aplikacionet e qytetarëve trajtohen si të tilla, që nuk i ndajnë qytetarët në baza etnike”.

“Mirëpo, normalisht mund të kemi një ndarje prej qendrave se prej nga vijnë aplikacionet dhe së fundi kemi parë një numër më të madh të aplikacioneve që vijnë nga lokaliteti ku jeton komuniteti pakicë serb”,
deklaroi Rexhepi.

Nga ana tjetër, deputeti serb, Sllobodan Petroviq, njëherësh edhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, vlerëson se numri i serbëve që duan të pajisen me dokumente identifikimi apo udhëtimi, është më i madh nga ç’paraqitet.

“U takon qytetarëve të vendosin se cili është interesi i tyre dhe ai që ka interes mund t’i ketë edhe dokumentet serbe, edhe kosovare. Kjo është çështje individuale”.

“Nuk e di se në cilat komuna ka më shumë interesim, por, në çdo rast, është e vërtetë se interesimi për dokumente të Kosovës është i madh, madje edhe më i madh sesa që paraqitet”,
tha Petroviq.

Zyrtarë të qeverisë thonë se shumica e serbëve të Kosovës janë ende të ndikuar nga thirrjet publike të Beogradit, për të mos u pajisur me dokumente të institucioneve të Kosovës.

Por, Sllobodan Petroviq thotë se nuk ka presion nga Beogradi.

“Ende nuk kam dëgjuar se ka një presion lidhur me këtë çështje, por përsëris se kjo është çështje e individëve, është e drejtë e secilit. Unë nuk kam dëgjuar se ka pasur presion dhe nuk pres të ketë një gjë të tillë as në të ardhmen”, theksoi Petroviq.

Në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë, çdo qytetar kosovar deri në moshën 16 vjeçare është i obliguar të ketë letërnjoftim. Ndërsa, sa i takon pasaportës, ajo mbetet çështje e vullnetit të vetë qytetarëve se a duan apo jo të udhëtojnë jashtë shtetit.
XS
SM
MD
LG