Ndërlidhjet

13 të arrestuar për krim të organizuar


Stacion Policor në Prishtinë
Stacion Policor në Prishtinë

Nën dyshimin se janë të përfshirë në krim të organizuar, Policia e Kosovës ka arrestuar 13 persona. Ata janë avokatë, gjykatës e zyrtarë të kompanive të sigurimit. Që të gjithë po mbahen në paraburgim derisa pritet të dëgjohen deklaratat e tyre.


Policia e Kosovës ka arrestuar 13 persona nën dyshimin se janë të përfshirë në krim të organizuar. Sipas zyrtarëve të policisë, arrestimet kanë ndodhur në disa lokalitete të ndryshme të vendit.

Ushtruesi i detyrës së Drejtoratit kundër Krimit të Organizuar, Rexhep Fetahu, thotë se Policia e Kosovës pas një kohe të gjatë të hetimeve, me urdhër të prokurorit, ka arrestuar 11 avokatë, një gjyqtar dhe një zyrtar të një kompanie të sigurimeve.

“Drejtoria kundër Krimit të Organizuar, përkatësisht njësia përkatëse e hetimeve financiare, ka zhvilluar hetime një kohë të gjatë rreth këtij rasti, i ashtuquajtur ‘Koalicioni’, dhe dje ka ndërmarrë operacion për kontrollin e shtëpive dhe zyrave të biznesit të të dyshuarve, gjithnjë nën dyshimin se kanë kryer një mori të veprave penale të krimit të organizuar, në bashkëpunim njëri me tjetrin”.

“Ka të bëjë me falsifikim të dokumenteve, keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim, keqpërdorim të besimit etj., prandaj, është ndërmarrë operacioni në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan dhe Prishtinë”,
bëri të ditur zoti Fetahu.

Ai pohoi se gjatë ditës së sotme do të dëgjohet deklarata e të arrestuarve dhe më pas i mbetet gjykatës për të treguar fajësinë e tyre.

“Po e potencoj se janë ende nën dyshim të bazuar, janë në proces, janë në mbajtje nga policia. Sot do të kryhen intervistimet me ta. Do të procedohen në gjykatë dhe varet prej gjykatës vendimi më tutje, në bashkëpunim me prokurorin, gjithnjë nën urdhëresat e gjykatave”, tha Fetahu.

Gjatë arrestimit janë gjetur edhe disa dëshmi të keqpërdorimeve, ka bërë të ditur Fetahu, duke shtuar se në njërën prej zyrave të njërit nga avokatët e arrestuar është gjetur edhe një armë zjarri.

“Me këtë rast veç që janë arrestuar të dyshuarit, janë mbledhur edhe provat e tjera, të cilat i ngarkojnë me dyshim të bazuar. Është konfiskuar një revole e tipit TT 16 fishekë, një numër i kompjuterëve, të cilët do të ekzaminohen për të provuar dyshimin e bazuar”, tha ai.

Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, nuk ka bërë të ditur emrat e të arrestuarve, duke thënë se hetimet janë ende duke vazhduar dhe, sipas tij, ato mund të dëmtohen nëse bëhet i ditur identiteti i të ndaluarve.

“Mbrojtja e identitetit dhe mbrojtja e procedimit të rastit të mëtutjeshëm është vendim i prokurorit. Arsyeja e vetme është se ne kemi pasur dyshime të bazuara, sepse rasti mund të ndërlidhet edhe me arrestimin e personave të tjerë dhe ky ka qenë elementi i vetëm pse ne nuk i kemi bërë të ditur emrat e tyre”, deklaroi Hoti.

Sido që të jetë, sipas zyrtarëve të policisë, dëmet më të mëdha që janë bërë për qytetarët e Kosovës kanë qenë ato me kompanitë e sigurimeve. Kështu, nëse një klient është dëmtuar, zyrtarë të kompanisë bashkë me avokatët kanë marrë më shumë se gjysmën e vlerës që është dashur ta marrë i dëmtuari.

“Një qytetar i drejtohet avokatit: e kam një aksident trafiku me dëmtime të rënda ose lëndime të rënda trupore... Ju e dini se si shkojnë proceduarat në kompanitë e sigurimeve - vlerësimi i dëmit e kështu me radhë. I jep autorizimin për përfaqësim atij, ky kthehet mbrapa, i thotë ‘të është aprovuar vlera diku 20 mijë euro’, për shembull, dhe i thotë se është vlera 10 mijë euro, e qytetari nuk ka shkuar fare ta shohë lëndën”, shpjegon Rexhep Fetahu.

Hetuesit e policisë, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se hetimet për arrestimin e këtyre personave kanë nisur që nga viti 2003. Këto informacione janë marrë nga qytetarët dhe vetë hetimet e policisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG