Ndërlidhjet

Pse mjekohen kosovarët jashtë vendit?


Përkundër asaj që shumë shërbime mjekësore mund të kryhen brenda qendrave spitalore të Kosovës, një numër i madh i pacientëve kosovarë kërkojnë mjekim jashtë vendit. Profesorë të Fakultetit të Mjekësisë janë kundër asaj që kosovarët të shkojnë për shërim në ato vende ku të njëjtat shërbime kryhen edhe në Kosovë, e ndoshta, siç thonë ata, edhe më mirë.


Familja Fehmiu është njëra nga shumë familje kosovare, e cila kishte kërkuar shërim jashtë vendit për anëtaren e tyre Luljeta Fehmiu, e cila vuante nga tumori në kokë. Uran Fehmiu-Sejdiu, i afërm i pacientes, thotë se familja ka menduar që një shërbim më të mirë do ta gjente jashtë Kosovës, por që nuk doli ashtu siç ishte menduar.

“Sëmundja e tezes është tumori në kokë. E kemi dërguar për shërim jashtë vendit, në Beograd, për një intervenim kirurgjik. Atje ka pasur një intervenim, por që nuk ka pasur sukses. E kemi kthyer prapë në Prishtinë dhe ka pasur edhe një intervenim tjetër, i cili ka qenë i suksesshëm”, thotë zoti Fehmiu-Sejdiu.

Faktin që jo çdoherë mjekimi jashtë vendit mund të jetë më i mirë se në Kosovë, e pohon edhe Arsim Morina, drejtor i Klinikës së Neurologjisë.

Doktor Morina, i cili kishte operuar pacienten Luljeta Fehmiu, e cila pas operacionit është në gjendje të mirë shëndetësore, është kategorikisht kundër mjekimit jashtë vendit, nëse shërbimet e tilla mund të kryhen edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Jam dëshmitar që shumë kosovarë shkojnë në rajon për të kryer shërbime mjekësore, ku trajtimin e kanë shumë më të keq se këtu në Kosovë. Po ashtu, ka edhe prej tyre që tentojnë të mjekohen me mjetet e buxhetit të Kosovës edhe përkundër asaj që mjekimet e shërbimet e njëjta kryhen dhe në Kosovë”, thotë doktor Morina.

Ai pohon se në Klinikën e Neurologjisë mund të kryhen të gjitha shërbimet mjekësore. Pacientët që vuajnë nga sëmundjet që kurohen në këtë spital, Morina thotë se duhet të jenë të vetëdijshëm se qendra ka kushte për trajtim.

“Kosova është shtet dhe njëherë e përgjithmonë duhet t’u thuhet jo shërbimeve mjekësore jashtë vendit, e në veçanti atyre në rajon. Autoritetet vendore duhet të ndërmarrin masa që aty ku nuk ka resurse njerëzore, të shkollohen... Ministria e Shëndetësisë duhet të shikojë se në cilat klinika ka nevojë për pajisje dhe t’i sigurojë ato”, thekson doktor Morina.

Megjithatë, sipas zëdhënësit të Qendrës Klinike Universitare, Shpend Fazliu, ka shërbime, të cilat nuk mund të kryhen në kuadër të QKUK-së dhe, siç thotë ai, pacientët kosovarë obligohen të shkojnë jashtë vendit.

Por, zoti Fazliu po ashtu pohon se ka edhe shumë shërbime tjera që mund të kryhen në Kosovë, e që popullata kërkon mjekim në vende tjera të botës.

“Në kuadër të QKUK-së, ekzistojnë komisionet për trajtim jashtë vendit. Secili komision ka nga tre anëtarë, ku mjekët specialistë duhet të nënshkruajnë në atë rekomandim për trajtim jashtë vendit të pacientit. Rekomandimi lëshohet vetëm nëse ajo sëmundje nuk mund të trajtohet në Kosovë”, deklaron zoti Fazliu.

Sidoqoftë, sistemi shëndetësor në Kosovë shumë herë është akuzuar për shërbime jocilësore ndaj pacientëve.

Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tashmë kanë pohuar se një përmirësim mund të ndodhë vetëm me investime. Sipas tyre, askund nuk janë më të nevojshme dhe më të frytshme investimet, sesa në sistemin shëndetësor.
XS
SM
MD
LG