Ndërlidhjet

Arrestimet për krime lufte


Policia e Kosovës ka arrestuar në fshatin Gornjasellë, në afërsi të Prizrenit, një qytetar serb të Kosovës, të dyshuar për krime lufte. Policia e Kosovës njofton se të të dyshuarit, me urdhër të prokurorit ndërkombëtar, i është caktuar paraburgimi për 48 orësh.


Policia e Kosovës ka arrestuar në afërsi të Prizrenit një qytetar serb të Kosovës, të dyshuar për krime lufte në periudhën ‘98-‘99.

Zëdhënësi i policisë, Arbër Beka, bën të ditur se i dyshuari është Goran Vuçkoviq, 36 vjeç, i cili aktualisht po mbahet në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Sipas zëdhënësit Beka, për këtë rast është njoftuar edhe policia dhe prokuroria speciale e EULEX-it.

“Zyrtarët policorë kanë bërë arrestimin e personit të dyshuar. Bëhet fjalë për Goran Vuçkoviq, i lindur më 1973, serb, shtetas i Kosovës. I njëjti është shoqëruar deri në stacionin policor në Prizren. Ai nuk ka pranuar të japë deklaratë lidhur me rastin e kanosjes”.

Arbër Beka (foto arkiv)
“Mirëpo, në të njëjtën kohë, policia ka pranuar informata se i njëjti mund të jetë i dyshuar edhe për krime lufte. Për këtë arsye, është njoftuar dhe Policia e EULEX-it, prokuroria speciale për krime lufte e EULEX-it, si dhe me urdhër të prokurorit special të EULEX-it, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë në stacionin policor në Prizren”,
tha Beka.

Po ashtu, bëhet e ditur se Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë nisur me hetimet dhe me mbledhjen e informatave shtesë lidhur me rastin në fjalë.

“Hetuesit nga njësia e hetimeve rajonale të Prizrenit janë në proces të grumbullimit të informatave lidhur me këtë person të dyshuar”, deklaroi Beka.

Ai tha se pas marrjes në pyetje të të dyshuarit, do të publikohen informacione të tjera lidhur me arrestimin e tij dhe me veprat për të cilat është i dyshuar.

Çështja e krimeve të luftës në Kosovë para operacionalizimit të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, trajtohej nga prokurorët dhe gjykatësit e Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Dosjet që trajtoheshin nga UNMIK-u, u transferuan te EULEX-i brenda periudhës dhjetor 2008 deri më tani. Mirëpo, shpalosja e këtyre dosjeve, përfshirë edhe ato për krime lufte, sipas zyrtarëve të EULEX-it, do të bëhet kur të jenë përmbushur disa kritere, të cilat i sqaron zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi:

“Ajo që prokurorët janë duke bërë, është shikimi i të gjitha rasteve, i rasteve të krimit dhe hetimet një nga një, për të parë se a ka akoma evidenca, se a ka akoma dëshmitarë dhe se a mund të punohet në këto raste. Pra, jemi në procesin e seleksionimit dhe të disa rasteve që janë marrë nga UNMIK-u”, tha Lamfalusi.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë thonë se nuk kanë ndonjë problem në procedimin e mëtejmë të rasteve të krimeve të luftës, të cilat kryesohen nga gjykatësit ndërkombëtarë.

Anton Nokaj, kryetar i Gjykatës së Qarkut, shpjegon:

“Nuk kemi vërejtur ndonjë ekses apo ndonjë tentativë për ta penguar procedurën. Ndoshta niveli i përgatitjes ka qenë i tillë që nuk i ka lënë njerëzit të mendojnë ndryshe. Vështirësitë kanë qenë si çdo gjykim i rëndë. Normalisht se ka qenë një gjendje gatishmërie pak më e madhe në këto raste dhe mendoj se ka qenë në kufijtë e normalitetit”.

Zoti Nokaj e vlerëson pozitivisht punën e gjyqtarëve të EULEX-it, si dhe bashkëpunimin e tyre me gjyqtarët vendorë.

“Puna është e kënaqshme; organizimi, mobilizimi i gjyqtarëve të EULEX-it është shumë në nivel. I kanë marrë ato raste që me ligj bien në kompetencën e tyre, por ka qenë gatishmëria e tyre që të ndihmohen edhe rastet sipas kërkesës sonë. Nuk them se i kanë pranuar të gjitha, por kryesisht na kanë ndihmuar”, tha Nokaj.

Ndryshe, sistemi i gjyqësisë në Kosovë disa herë është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, ku thuhej se ky sistem është i ndikuar politikisht. Por, deklaratat e tilla hidhen poshtë nga zoti Nokaj, duke thënë se vlerësimet e tilla kanë qëllime të caktuara politike.
XS
SM
MD
LG